MARIGLEN KUME/ Për aleatin e Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, tani nuk ka më asnjë pikëpyetje që selia blu është e Sali Berishës. Por, duke analizuar zgjedhjet e 6 marsit, ai thotë që Berisha në krye të PD-së nuk mund të sjell fitoren.
Për ta bërë sa më të kuptueshme triumfin e Berishës brenda PD-së kreu i LZHKsë kthehet shekuj pas në kohë e ku kujton heroin kombëtar Skënderbeun. Sipas tij, fitorja e Berishës përball Bashës është njësoj sikur fitorja e Skënderbeut kundër Hamzait. Por, populli shqiptar nuk e donte Skënderbeun kur mundi Hamzain, por kur mundte turqit.
Duke e sjellë në situatën konkrete, Shehi thotë se Berisha duhet të mund PS-në. Për ta bërë këtë, kryetari i LZHK-së propozon që të krijohet një bosht i gjerë opozitar që t’i mbledhë të gjitha forcat politike, të cilat kanë objektiv të përbashkët largimin e Ramës. Boshti të drejtohet nga Partia Demokratike. Ndërkohë, dorëheqjen e Bashës, Shehi e cilëson si gjestin më të mirë, por që duhet ta kishte bërë më herët në mënyrë që edhe plagët të ishin më të pakta.
Gjatë intervistës për gazetën “Panorama”, Shehi flet edhe për krizën ekonomike ku i propozon qeverisë që pasi të ezaurojë çdo hap të brendshëm, të shikojë mundësinë për të marrë borxh publik, por jo për të paguar PPP-në. Paratë që do merren të paguhen për subvencionimin e pjesës së rritur të çmimeve.
Z. Shehi, kemi një tentativë për ribashkim të PD, si e gjykoni ju dorëheqjen e Bashës dhe nisjen e këtij procesi?
Unë gjykoj që ka bërë punën më të mirë që duhet ta kishte bërë 6 muaj përpara. T’i lemë ato periudhat para zgjedhjeve, por para 6 muaj z. Basha duhet të ishte larguar që të mos lejonte këtë turbullirë që ka ndodhur dhe që është i vështirë ribashkimi. Por, më mirë vonë se kurrë. Është një gjest për t’u lavdëruar. Shpresoj të jetë i sinqertë deri në fund. Unë mendoj se nuk ka rrugë mbrapsht z. Basha. Duhet ta kuptoj edhe në sensin e pragmatizmit personal që kjo është rruga më e mirë që i ruan pak fytyrën. Mendoj që ka bërë mirë. Sigurisht që nuk ka pse i nënshtrohet shkelmave të palës tjetër. Kjo është një histori politike që nuk duhet të përsëritet. Nëse PDja vazhdon ta përsërisë këtë punë brenda vetes, atëherë tregon se nuk ka mësuar asgjë nga demokracia. Votat e fundit janë vota që tregojnë se jemi shumë të dobët përpara PS-së. Fitorja e Berishës është një fitore e pjerrët. Berisha nuk mundi Ramën, por Bashën. Është njësoj siç thoshim për Skënderbeun. Po e them si batutë këtë: Skënderbeu mundi Hamzain. Ne e duam Skënderbeun dhe e respektojmë kur mund turqit. Për të mundur Hamzain s’do ndonjë trimëri kjo punë. Edhe fitorja e Berishës është fitore me shumë të plagosur e shumë të vrarë brenda frontit opozitar. Megjithatë, kjo PD që mbetet sado e vogël është e Berishës. Është e kotë të themi që do të jetë e këtij e do të bëhet më demokratike e do bëhet më e madhe. Kjo është PD-ja e Berishës. Është një grup më homogjen përtej kryetarit të vjetër. Rrethanat kanë treguar se ky person ka votat më të mëdha.
A janë këto vota të mjaftueshme për të mundur Partinë Socialiste, e cila po gëzon mandatin e tretë?
Unë gjykoj që kjo nuk është rruga për të mundur PSnë. Rruga që kam propozuar unë është kjo. Të bëjmë një hark të madh opozitar. Nga e majta progresiste, me intelektual që se duan Edi Ramën, gjithë këta nëpunës e biznesmenë e deri tek e djathta konservatore që mbyllet me Ballin, Legalitetin, LZHK-në etj. Unë po i vendos një emër konservator, po e bëj më europiane. Në mes të qëndrojë Partia Demokratike. Pastaj PD-ja është e Berishës, është veç e veç, e Bashës dhe Berishës. Kjo pak rëndësi ka, por e mira do jetë që të jenë bashkë që të prodhojë maksimumin e votave. Kjo është për mua zgjidhje. Me këtë lloj formule mund të shkojmë deri te zgjedhjet administrative 2023. Të shikojmë edhe rezultatin.
Pas dorëheqjes së Bashës ka disa zhvillime të tjera. Ka një takim mes palëve tani, por sërish qëndrimet e tyre janë të kundërta. A duhet të ketë kushte sipas jush?
Këtë duhet t’ia lemë kohës dhe votave me njëri-tjetrin. Unë thashë si një njeri jashtë PD-së, por që dua të vizatoj një skemë të përgjithshme të opozitës shqiptare jo thjesht të PD-së. Kjo nuk është as detyra ime dhe as e drejta ime, por si një koleg i vjetër, po jap disa sugjerime. Edhe në qoftë se do mbeten dy parti apo edhe nëse do mbetet një. Duhet të lejnë rrugët e komunikimit midis tyre, që kur të vijnë betejat elektorale të hyjmë me një hark të përbashkët. Siç ndodh në të gjithë botën. Sepse vetëm në Shqipëri duam ne dy parti. Një këtej e një andej. Ndryshe ne vritemi e prihemi me njëri-tjetrin. Mjafton që të kemi vetëm një mendim unik. Jemi të gjithë kundër PS-së dhe qeverisjes së Edi Ramës. Kjo është kolona, ky është strumbullari që na bashkon të gjithëve në këtë luftë të përbashkët. Pastaj nëse është më i mirë ai që bën më shumë luftë ndaj Bashës apo Berishës, këto nuk më interesojnë shumë. Më intereson e ardhmja e përbashkët e opozitës. A kemi shanse që ta kthejmë në një vend demokratik Shqipërinë?
Ju jeni aleat tradicional i së djathtës shqiptare. Do ishte problem për ju nëse do bashkëpunonit me z. Berisha?
Absolutisht! Ne kemi bashkëpunuar edhe gjatë këtyre viteve. Nuk është ky problem. Unë do bashkëpunoj me cilindo që zgjidhet në krye të PD-së. Por unë dua të bashkëpunoj me njerëz që kanë një të ardhme përpara. Të gjithë problemin po e përmbledh. Berisha ka shumë pak gjëra përpara dhe ka shumë halle mbrapa. PD-së i duhet të gjejë një shtet që të shikojë sa më afatgjatë përpara. Kjo është problematika.
Ndalemi pak te çmimet. Është një krizë që po ndodh në të gjitha vendet thotë Kryeministri Rama, por si e shikoni paketën që ka marrë qeveria?
Kriza është e madhe do bëhet edhe më e madhe, por paketa është shumë e vogël. Dhe shtegu i zgjedhjes që ka lënë kjo qeveri është shumë i vogël. Kjo qeveri ka shpenzuar të gjitha rezervat financiare. Kredibilitetin ndërkombëtar. Nivelin e borxhit për të marrë para për ta përballuar krizën e çmimeve. Por, unë do të kisha kurajë të merrja një borxh publik e për të paguar PPP-n‘, por për të paguar diferencën e çmimeve ndërkombëtare me tregun e brendshëm që ne të mos e ndërpresim zinxhirin ekonomik dhe zinxhirin fiskal. Nëse kriza bëhet si në vitin ‘97-‘98, do na duhen 2- 3 vite që të rimarrim veten ekonomikisht dhe 2-3 vite të tjera që ta rivendosim në baza normale sistemin fiskal. Mirëpo, kjo qeveri nuk ka treguar përgjegjshmërinë e duhur. Janë marrë borxh për gjëra të panevojshme. Kjo është kaq e vërtet se kemi marrë miliarda borxh dhe përgjigja nga GDP-ja nga rritja e prodhimit është më e vogël se borxhi. Megjithatë, nuk do shmangja marrjen e borxheve të reja. Por më parë duhet të ezaurojmë të gjitha politikat e brendshme. Të ndryshohen politikat në energji, bllokimin e PPP-në të panevojshme, sepse koston e krizës po e paguajnë konsumatorët. Oligarkët nuk paguajnë gjë. Sepse i marrin paratë nga PPP-ja, nga buxheti i shtetit, madje në mënyrë abuzive dikush do fitojë edhe më shumë. Kështu që qeveria është e detyruar që të bëjë atë pjesë që është në dorën e saj.
A ka hapësirë qeveria të ndërhyjë në paketën fiskale?
Qeveria duhet të ulë taksat. Të rivë në punë një pjesë të bujqësisë, duke ulur çmimet, duke kompensuar çmimet e imputeve bujqësore. Ne pretendonim që me këtë krizë ndërkombëtare bujqësia të rriste prodhimin e vet me 20- 30%, por me çmimet që janë sot do ta ulin me 20-30%. Kjo nuk është politikë për ta përballuar. Ne në kohë krize po bëhemi gjithnjë e më të varur nga tregjet ndërkombëtare ndërkohë që duhet të merrnim masa që të përballonim sa më shumë me përballimin vendas. Ta rifusnim në treg bujqësinë shqiptare. Duhet të riaktivizojmë të gjitha politikat të energjisë elektrike. S’mund të blihet më energji elektrike duke negociuar javë për javë. Na duhen politika më afatmesme. Nëse do kishim pasur kontrata më afatgjata nuk do e blinim më kaq shtrenjtë energjinë.