Drejtuesja e ISHP-së, Albana Fico deklaroi sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve se situata e COVID-19 po monitorohet si edhe ecuria e epidemisë në vend ndërsa vijon puna për testimin, gjurmimin dhe izolimin e rasteve te dyshuara dhe kontakteve te tyre. Fico tha se Komiteti ka vendosur tre masa të reja për frenimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19.
“Komiteti teknik i ekspertëve pas masave me intensitet të moderuar, me kufizimin e lëvizjes pas orës 22:00 dhe kufizimit te të aktivitetit të bareve dhe restoranteve pas orën 22:00 të darkës, nisur nga vlerësimi në dinamikë i situatës, ka vlerësuar se është e nevojshme të ketë masa shtesë të intensitetit mesatar për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Në mbledhjen e fundit, Komitetin Teknik i Ekspertëve, pasi kemi analizuar situatën dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra dhe kemi vendosur:
Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura
Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet.
Konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”, deklaroi drejtuesja e ISHP-së.
Sipas saj, situata mbetet e kontrolluar por në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore në 243 raste për 100 mijë banorë.
“Numri total i rasteve aktive ka pësuar rritje në 504 për 100 mijë banorë. Numri i pacienteve në spitale ka pësuar rritje krahasuar me një javë më parë.
Në tre spitalet COVID janë shtruar 406 pacientë. Aktualisht rreth 20-25% e kapaciteteve janë ende të lira në katër strukturat e dedikuara për trajtimin e rasteve ndërkohë që skenarët e përfshirjes së spitaleve rajonale janë gati në momentin që do ketë ezaurim të katër spitaleve Covid”, deklaroi Fico.
Ajo tha më tej se terapitë intensive kanë një numër të qëndrueshëm të pacientëve në kujdes intensiv.
“Të nderuar qytetarë, edhe një herë ju drejtohemi me thirrje secilit prej jush, për të zbatuar rregullat e vendosura:
Vendoseni maskën;
Ruani higjienën;
Mbani distancë nga të tjerët që nuk janë familjarët tuaj;
Kufizoni kontaktet sa më shumë;
Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vetëm me bashkëpunim qytetarë-autoritete, mund të kufizohet përhapja e koronavirusit.
Respektoni rregullat, kontribuoni për kufizimin e përhapjes së COVID-19, për të ulur mbingarkesën në spitale, për të ruajtur shëndetin tuaj dhe të familjeve tuaja”, apeloi Fico.