Cikalleshi: Rekordi i Bogdanit objektiv i së ardhmes, jam në kulmin e formës


Shqipëria fitoi 3-2 ndaj Bjellorusisë dhe ia doli ta mbyllte në vend të parë grupin 4 të Ligës C në Nations League. Sokol Cikalleshi shënoi dy golat e parë të kuqezinjve, ndihet i lumtur për fitoren dhe ndeshjen e tij dhe prek disa tema gjatë prononcimit të dhënë për Supersport.


“Sot ishte ndeshje që duhet fituar dhe duhet të shënonim sa më shpejt. Jam në moment të mirë si në kombëtare dhe në Turqi. Po punoj fort ta ruaj ritmin, jam shumë i lumtur dhe do bëj dyfishin e punës për të qëndruar në të tilla nivele.

Ky grup ishte me ekipe poshtë nivelit tonë, përveç Bjellorusisë. Jam akoma larg rekordit, të mos ëndërroj. Mund të jem objektiv në të ardhmen, por respekt për Erjonin (Bogdani) që është në vend të parë. Nuk e mban pa meritë atë vend.

Pa nënvlerësuar askënd nga ekipet, duhet të kisha shënuar më shumë. Erjoni është nga ata persona që do jetë i kënaqur për cilindo që do e arrijë rekordin e tij. Ai që do i afrohet dhe do e thyejë rekordin e tij, do e kënaqë Erjonin.

Futbolli ka ulje dhe ngritje dhe tani jam në moment të mirë. Kishim dy raste, si në pjesën e parë kur pësuam dhe patëm mungesë ekuilibri. Kështu ndodhi edhe kur pësuam golin e dytë. Ishim në vështirësi, por falë Zotit fituam.

Golat e shumtë me Rejën? Mund të jenë një nga arsyet se luajmë me dy pjesë. Tani për mua është pak më e thjeshtë për të arritur te zona e golit. Eksperienca ka të bëjë, ka vite që jam në kombëtare. Kam më shumë eksperiencë dhe këtë veçoj. Njohim edhe më mirë njëri-tjetrin dhe them se jemi në rrugë të mbarë si ekip dhe unë. Na duheshin këto dy fitore dhe i morëm.

Me Manajn kemi shkuar mirë, referuar statistikat. Pa veçuar Bekimin me të cilin kam luajtur prej vitesh, apo me Sadikun. Kemi funksionuar si dyshe dhe statistikat nuk gënjejnë. Ndihem mirë me vazhdimësinë. Uroj të vazhdoj këtu. Pjesa e vështirë është ta mbaj. Duhet të punoj fort dhe të jem i përqendruar. Futbolli ka ulje dhe ngritje dhe ulja është prapa derës“, deklaron Cikalleshi. /abcnews.al