Ditën e mërkurë Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për një ngarkesë të dyshuar me mbetje toksike, të lidhur me veprën penale të kontrabandës me mallra të ndaluara ose të kufizuara, pas referimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Në vijim të hetimeve Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialeve dhe të dokumenteve të tjera lidhur me transportin e dyshuar të 816 ton mbetje toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës me dy anije.
Kompania “Kurum International” është identifikuar si burimi i qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që u eksportuan nga porti i Durrësit, duke shkaktuar alarm.
Gjatë javës, prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve të përpunimit të materialeve dhe dokumenteve të tjera nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Ministria e Mjedisit, dhe kompanitë private të dyshuara si të përfshira në këtë transport. Dokumentacioni i kompanisë Kurum International, e cila dyshohet se ka prodhuar mbetjet toksike dhe i ka shitur kompanisë ‘Sokolaj’ për transportin në Tajlandë, është sekuestruar gjithashtu.
Po ashtu, janë sekuestruar dokumentet e kompanisë “Sokolaj” shpk, e cila merret me import-eksport mineralesh dhe është në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj. Po ashtu janë sekuestruar edhe dokumentet që gjenden në doganën e Durrësit lidhur me eksportin e ngarkesës nga Durrësi në drejtim të Tajlandës.