Braçe: Qeveria të shpallë plan kursimi për energjinë elektrike, mos të merret me shaka! Ata që jetojnë në luks të paguajnë ndryshe nga pensionistët

Deputeti socialist Erion Braçe i kërkoi të shpallë një plan konkret për kursimin e energjisë elektrike.

Në Komisionin e Ekonomisë ai theksoi se kjo situatë nuk duhet marrë si shaka ndërsa kërkoi që ata që shpenzojnë energjinë elektrike për luks duhet të paguajnë me çmim tjetër në raport me pensionistët.

“Parë edhe në luftën që po zgjat, energjia duhet të jetë sfida kryesore në sasi dhe kosto. Kemi detyrim të garantojmë energjinë elektrike edhe për prodhimin sepse përndryshe do të ketë impakt mbi prodhimin. Duhet llogaritur çdo qindarkë. Duhet një plan kursimi që ende nuk është i qartë. Ndonjëherë e marrin me shaka dhe fillojnë e qeshin.

Në kursesh në këtë periudhë nuk është tallje. Është jetike. Qeveria duhet të shpallë një plan kursimi për institucionet publike. Zgjoheni në 5 të mëngjesit dhe shikoni se çfarë ndriçon në këtë qytet kot. Kush e do energjinë elektrike për luks duhet ta paguajë me çmim tjetër nga pensionistët. Kjo historia që e themi dhe nuk veprojmë, nuk shkon më.

E dyta që kam është paketa sociale. Më shqetëson pa fund kjo gjë. Është shteti ai që duhet t’i mbajë ato kategori sociale. Akti normative është bërë në korrik dhe sot jemi në 6 shtator. Paketa e dalë nga këtu duhet të kishte dalë. Imagjinoni një çift pensionistësh që marrin të dy bashkë 22-23 mijë lekë. Këta njerëz i kanë sytë nga kjo paketa. Askund tjetër”, tha ai.