Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i është bashkuar protestës së fermerëve në Lushnje. Ai ka folur edhe për mediat, duke sulmuar ministrinë e Ekonomisë që duhet të vijë pranë bujqve. Sipas tij, tashmë nuk është koha për vërejtje, por koha për të vepruar.
Braçe u shpreh se bujqit nuk i ka nxjerrë ai në protestë, por ata kane dale nga halli.
“Ministrja e Financave është edhe ministre e Ekonomisë, a e kuptoni që nga ato shifrat e tre mujorit të parë të vitit ku gjithë ekonomia shqiptare u rrit me 6 % dhe sektorët e tjerë morën të ardhura, bujqësia mori 0. 01% më tepër. Tani që ekonomia bujqësore të katandiset këtu që po të mos punosh nuk humb para dhe po të punosh humb para, ky është problemi i ministrisë së Ekonomisë dhe duhet të lëvizin, nga atje të vijnë këtu. Nuk i kam nxjerrë unë këtë këtu, i ka nxjerrë halli. Pra koha e vërejtjeve ka mbaruar, tani është koha të veprojnë. Duhet të vijnë dhe të bëjnë këto gjëra dhe të merren drejtpërdrejt me shitjen e prodhimit të produkteve”, tha Brace.
Sipas Braçes, qeverinë po e gënjejnë me këto çmime, duke theksuar se nuk e kupton si qeveria e lejon diçka të tillë.
“Në momentin që këtij grumbulluesi ndërton një pikë që kushton 1.5 mln euro, atëherë duhej që në kontratat me këta njerëz të kishte dhe një pikë, çështja e çmimeve të drejta në grumbullim. Koha e këtij mekanizmi iku, tani është koha që ato kontrata të rishikohen dhe të vendoset një rregull i ri për grumbullueset derisa të kemi një bursë. Në momentin që kemi një bursë nuk ka më nevojë për këta. Kur kemi bursën, zoti i çmimit do të jetë bujku.
E dëgjuat atë djalin çfarë tha, bëj shoferin. Unë kur coj mallin tha unë kthehem me para cash. Do të thotë që na gënjejnë me këto çmime, po gënjejnë bujqit, por edhe qeverinë. Qeveria, unë nuk e di si e pranon që ta gënjejnë duke e parë në sy. Të gjithë këta duhet të paguajnë”, u shpreh ndër të tjera Brace.