Betimi i Bajram Begajt mbi Kushtetutë, mesazhi që i dha politikës: Dialog dhe jo konflikt

VALENTINA MADANI/ Një President iku, një tjetër erdhi. Ilir Meta dje la presidencën duke i lënë vendin pasuesit Bajram Begaj për një mandat të ri 5- vjeçar. Krejtësisht i qetë, me dorën që nuk ia lëshonte bashkëshortes, ai ngjiti shkallët e Kuvendit, i ndjekur nga dy djemtë e tij.

bajrambegaj

Në hyrje të Parlamentit, ku gazetarët e kishin ndjekur që nga dalja nga banesa, Presidentin e ri e priti Kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Në prani të deputetëve të maxhorancës, një pjese të opozitës, klerit fetar dhe diplomatëve të huaj, Bajram Begaj, pak para marrjes së detyrës si kryetari i ri i shtetit shqiptar, bëri betimin para Parlamentit. Pas Himnit Kombëtar, z.Begaj mbajti fjalën e parë si President i Republikës, nga ku garantoi se do të jetë shërbëtor i popullit dhe përfaqësues i unitetit tonë kombëtar.

Mesazhi i parë ishte ai për orientimin euroatlantik të vendit. Me dorën mbi Kushtetutë, Presidenti Begaj u angazhua se do të respektojë dokumentin themeltar të shtetit dhe nuk do të qëndrojë neutral ndaj askujt që vendos interesat politike mbi kombin. Presidenti vuri në dukje se vlerëson punën e qeverisë dhe të opozitës, por nuk mund të tolerohen dështimet dhe konfliktualiteti.

Unë e njoh, e mbështes dhe respektoj punën e qeverisë, por nuk justifikohet asnjë dështim. Unë e mbështes dhe e respektoj opozitën, por të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit”,deklaroi ai.

Presidenti Bajram Begaj u angazhua se do t’i shërbejë Kushtetutës dhe do të respektojë çdo parim të saj dhe theksoi se nuk do të qëndrojë neutral përpara askujt që do të vendosë interesat personale mbi kombin.

“U betova sot se do t’i shërbej Kushtetutës dhe të përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të Kushtetutës. Këtë mision do ta kryej mbi palët, por nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që bie ndesh mbi këtë parim, nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike mbi atë të Kombit”.

Pas betimit në kuvend, Bajram Begaj u drejtua për në Presidencë, ku u prit nga Ilir Meta, i cili i dorëzoi detyrën e Presidentit. Të dy presidentët dolën nga institucioni i kreut të shtetit duke ecur drejt bulevardit për të nderuar Himnin Kombëtar. Më pas, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, i dorëzoi Begajt Kushtetutën e vendit. Bajram Begaj u angazhua për të punuar bashkërisht për Shqipërinë dhe për konsolidimin e institucioneve.

Ai u shpreh se do të jetë përkrahës i komunikimit dhe i bashkëpunimit të nismave dhe ideve që çojmë përpara shoqërinë tonë. Ai apeloi për unitet dhe bashkëpunim të klasës politike.

“Do të jem kontribuues dhe përkrahës i komunikimit dhe bashkëpunimit të nismave dhe ideve që çojnë përpara shoqërinë tonë. Dialogu dhe bashkëpunimi, dëgjimi i zërit dhe medias së lirë, respektimi dhe pranimi i debatit mundëson që forca e tij të shpërblehet me mirëqenie për qytetarët. E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve.
Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunimi i klasave politike. Do inkurajoj çdo veprim për marrëdhënie të shëndosha mes institucioneve. Të vijojmë në rrugën e Reformës në Drejtësi”, tha Begaj.

Ai bëri thirrje të rishikohet strategjia e sigurisë sonë kombëtare në mënyrë që të punohet për parandalimin e elementëve që kërcënojnë vendin.

Presidenti i 8-të i Republikës, kush është ish-gjenerali Bajram Begaj

Bajram Begaj është Presidenti i 8-të në historinë pluraliste të Shqipërisë, i cili pason në këtë detyrë Ilir Metën. Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Begaj ka hyrë në historinë e FA, duke u bërë mjeku i parë në ushtri, i cili arrin që të bëhet gjeneralmajor, e cila është grada më e lartë. Gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj për një periudhë trevjeçare ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në FA, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Gjeneralmajor Bajram Begaj ka përfunduar doktoratën në fushën e mjekësisë, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.


Marrë nga Panorama.Al