Valbona nuk ka mundur t’i bëjë ballë pretendentëve të shpallur kavajas, ku kanë rezistuar vetëm 45 minuta. Skuadra e Besës e ka dominuar takimin në të gjitha aspektet, por nuk ka mundur të shënojë në pjesën e parë, falë rezistencës së tropojanëve dhe portierit Forald Hoxha që fitoi zemrat e publikut tropojan.
Kavajasit dominuan tërësisht pasi kërkuan 13 herë kuadratin, shënuan dy gola, dy të tjerë u anuluan si edhe dy shtylla, gjë që tregon se rezultati mund të ishte shumë i thellë se 2-0.
Pjesa e parë– Takimi nisi me Besën që sulmon menjëherë. Spahiu në të 9-tën del vetëm me Hoxhën, që nuk lejon prekjen e rrjetës. Nga ana tjetër, Valbona ka një mundësi të mirë për të shënuar, ku nga brenda zonës, Krasniqi tenton me kokë, por Mehidri mrekullisht e devijon topin në korne. Një minutë më vonë, Stafa godet te vija ballore e Hoxha përsëri grushton. Më tej, Nurja tenton në kufijtë e zonës, grushton Hoxha, teksa Spahiu që ndodhet fare pranë shënon. Por, pozicioni i tij ishte i parregullt dhe goli anulohet. Ndërsa rastin fatal për vendësit e pati Kovaçi në të 35-tën, me portën gjysmë të boshatisur, por topi kalon mbi tra. Në të 40-n, Mazrekaj godet fuqishëm te vija e 16- metrave dhe topi përplaset atje ku bashkohen dy shtyllat e portës dhe rifutet në lojë. Me shifrat e barabarta mbyllet fraksioni i parë i lojës, por me raste dhe emocione.
Pjesa e dytë– Në 45-minutat e dyta, kavajasit shpërdorojnë shumë sidomos turku Mert, në tre momente. Në të 62-n, Spahiu shënon edhe golin e dytë, por ndërhyrja e tij ndaj mbrojtësit Rosaj ishte e gabuar dhe goli anulohet. Ndërkohë që dëmtimi i Rosajt është i rëndë. Tropojani ka nxjerrë shpatullën dhe me urgjencë është dërguar fillimisht në spitalin e qytetit të Bajram Currit, më pas në Gjakovë.
GOLAT: Indio Oliviera 64’, Farruku 74’(a)
VALBONA: Hoxha, Rosaj (Lala 66’), Farruku, Lamçe (Uahab 66’), Zeqiraj, Mashi, Kamilo, Kovaçi (Vidrica 72’), Balla, Llanaj (Alinani 65’), Krasniqi; (Në dispozicion: Marku, Doçi, Jetishi) Trajner: Emiliano Gega
BESA: Mehidri, Frashëri, Nuredin, Goxhaj, Nurja, Mëllugjaj, Indio Oliviera (Da Roka 67’), Stafa, Spahiu (Aleksandre 67’), Mazrekaj, Mert (Ibrahimi 82’); (Në dispozicion: Ahmetaj, Perja, Kapo, Nkube, Deliu, Gjinaj, Ramilli). Trajner: Mirel Josa
Kartonë të verdhë: Lamçe 45’ / Mert 45’
Gjyqtarë: D. Grimci, J. Podgorica, A. Çobaj, B. Dragusha (Shkodër)
Delegat: Skënder Avdyli (Lezhë)
Vëzhgues: Idriz Gashi (Durrës)
Gega: Ekipi ra fizikisht, ndikoi dëmtimi i Rosajt
Emiliano Gega, drejtori sportiv i Valbonës, në rolin e trajnerit u shpreh pas ndeshjes për gazetën: “Në pjesën e parë ne depërtuam shumë mirë, arritëm atë që donim, rezultatin 0-0. Kishim dy raste kundërsulmi dhe mund ta fitonim, por nuk deshi fati. Pastaj në pjesën e dytë të lojës ramë pak nga ana fizike dhe te disa lojtarë pati shenja lodhje. Por, ndikimin më të madh në humbje na e dhanë dëmtimi i dy mbrojtësve, Rosajt që përfundoi në spital dhe Lamçe, që u dëmtua në kokë. Këto sollën krisjen në mbrojtje. Por, kemi pasur probleme edhe me federimet. Dy lojtarë nuk na janë federuar, si Kevi Berberi dhe braziliani Da Silva, që ne i kishim planifikuar si titullarë”, tha Gega.
Josa: Pikët e para kanë shumë rëndësi
Mirel Josa, trajneri i Besës, pas fitores së parë kundër Valbonës, për “Panorama Sport” u shpreh: “Nuk mund të them se duhej të fitonim më thellë, pasi kjo është ndeshja e parë e kampionatit, që mbaroi me pozitivitet. U arrit një objektiv, që do të ketë vazhdimësi. Është e rëndësishme marrja e këtyre tri pikëve të para, por duhet të rregullojmë defektet që u vunë re dhe të vazhdojmë punën për ndeshjen e ardhshme. Grupi i lojtarëve që kemi në dispozicion jo se më bind, por unë kam besim te këta lojtarë. Kam besim te mentaliteti i tyre, sepse përpara se të jenë lojtarë të mirë, duhet të kenë mentalitet fituesi. Edhe pse merkato është ende e hapur nuk besoj se do kemi ndonjë lëvizje, vetëm në qoftë se do të jetë për të mirën e skuadrës”, tha Josa.
ABDULA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL