Ish-kryeministri Sali Berisha ka theksuar se me rikthimin e tij në Partinë Demokratike ai do të bëjë të mundur rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Sipas Berishës, ai ka qenë i vetmi i cili i ka mundur dy herë socialistët.
Duke folur në një intervistë në A2CNN Berisha tha se socialistëve dhe Edi Ramës ai iu del ende në ëndërr atyre, si lugati.
“Sali Berisha sot është personi i vetëm që i ka mundur socialistët dhe dy herë Edi Ramën. Socialistët e dinë që nuk kanë ndonjë problem me Sali Berishën, se Berisha nuk ka bërë luftë klasash përkundrazi. Ata veçse janë begatuar në periudhën e qeverisjes së tij. Ndërsa nomenklatura e dinë që i kanë kohët e vështira me Sali Berishën; Sali Berisha i ka larguar nga pushteti dhe do t’i largojë nga pushteti. Është edhe kjo një motiv i vërtetë. Ata i ka kapur kompleksi i lugatit. Sali Berisha i lë pa gjumë, u del si lugati, i ka mundur dy herë socialistët. Dhe do t’i mundë sërish në këtë rikthim të tretë”, u shpreh Berisha.