Berisha u sulmua me grusht në protestë, reagojnë Basha, Bardhi, Alibeaj dhe Tabaku

Në një reagim Gazment Bardhi ka dënuar sulmin ndaj Berishës në protestë duke u shprehur se është një akt burracak i kryeministrit Edi Rama. Po ashtu thekson se autorët e vërtetë të këtij veprimi duhet të vendosen përpara drejtësisë.

“Skenarët me dhunë ndaj kundërshtarit politik janë tipike të një regjimi të korruptuar dhe të kriminalizuar. Akt burracak i Edi Ramës, që nuk tremb dot askënd. Duke dënuar me forcë sulmin fizik ndaj z. Berisha, bëj thirrje që autorët e vërtetë të vihen menjeherë përpara ligjit”, shkruan Bardhi.

Alibeaj thotë se incidenti duhet të zbardhet menjëherë.

“Dënoj me forcë aktin e sotëm të dhunës ndaj Sali Berishës. Sulmi ndaj çdo politikani, e ndaj çdo individi, është një akt i dënueshëm dhe i pavend në një shtet funksional demokratik. Incidenti i sotëm duhet të zbardhet urgjentisht nga organet përgjegjëse ndërsa kultura e dhunës duhet përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga zhvillimet e politikës në Shqipëri”, thotë Alibeaj.

Deputetja e PD Jorida Tabaku, në një status në rrjete sociale thotë se gjuha e dhunës dhe e urrejtjes nuk duhet të ketë më vend në politikë.

“Gjuha e dhunës, urrejtjes nuk duhet të kete vend më politikë! Goditja ndaj Sali Berishës është një akt i shëmtuar dhe i papranueshëm! Ne mund të kemi mendime te ndryshme, mund të veprojmë ndryshe në politikë por dhuna është e patolerueshme.

Shprehjet e dhunës fizike dhe verbale, nuk duhet të kenë vend në shoqërinë tonë! Politika duhet të largohet nga kultura e dhunës, goditjes së kundërshtarit dhe t’i hapë rrugë argumentit, debatit mbi idetë dhe bindjet. Sa të kem mundësi e fuqi do të promovoj këte model ne poltike”, shkruan Tabaku.

Sulmin ndaj Berishes e dënoi edhe ish-kreu i PD Lulzim Basha.

“Dënoj ashpërsisht sulmin fizik ndaj z. Berisha. Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar”, thuhet në reagimin e Bashës.