Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që t’i bashkohen protestës së 7 korrikut, nëse kanë mundësi fizike të zhvendosen drejt Tiranës.
Gjatë një bashkëbisedimi me diasporën shqiptare, Berisha tha se gjendja në vend është kritike, pasi partia në pushtet zotëron 99% të pushtetit, shifër kjo më e larta që nga koha e Partisë së Punës.
Ndaj ai i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që t’i bashkohen protestës së PD-së më 7 Korrik.
“Është një mbështetje e jashtëzakonshme dhe ju garantoj ju se tani është një opozitë e vërtetë. Përpjekjet e jashtëzakonshme që u bënë gjatë këtyre 10-muajve të fundit për një opozitë fiktive kanë marrë fund. Sot PD vazhdon dhe mbetet avokate e interesit publik dhe kombëtar të shqiptarëve. Ne do bëjmë gjithçka për mobilizimin e të gjithë potencialeve tona në Shqipëri dhe jashtë saj. Beteja jonë nuk është e lehtë. Është një betejë në një shoqëri që ky regjim në mënyrë sistematike ia doli të mbjellë frikën. Vetëm në një vit 38 mijë shqiptarë u arrestuan për çështje civile. U arrestuan për mbjelljen e frikës. Ky është misioni ynë dhe ne do ta përmbushim këtë. Ne llogarisim mbështetjen tuaj dhe kemi nevojë. Tani në opozitë dhe nesër në pushtet do bëjmë gjithçka që potencialet tuaja të përdoren nëpërmjet bashkëpunimit në të gjitha fushat. Shqipëria ka nevojë jetike për shtetin ligjor. Shumë shpesh më shtrojën pyetje si do të arrish t’i rikuperosh të gjitha problemet.
Emëruesi i përbashkët është vendosja e shtetit ligjor në këtë vend. Vendosja e votës së lirë e cila është përjashtuar nga kjo parti që qeveris sot. Ju shprehët shqetësimin për uzurpimin e pushteteve. Sot nuk është më 90%, pas marrjes së presidentit është 99%, është më i larti që ka ekzistuar që nga koha e …
Ne kemi nevojë për mbështetjen e diasporës për protestën e 7 korrikut. Mirëkuptojmë plotësisht pamundësitë e lëvizjes. Por thirrjet tuaja ndaj familjarëve dhe miqve janë një ndihmë shumë e madhe për suksesin e kësaj lëvizjeje. Ne kemi krijuar frontin për shpëtimin e Shqipërisë dhe ky front do vazhdojë të shtrihet në diasporë dhe emigracion”, tha Berisha.