Berisha flet pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit: Iu kushtua problemeve organizative të partisë. Listat e votimit do iu dërgohen kryesive të PD

 Përfundon mbledhja e Komisionit të Rithemelimit në selinë e PD. Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar se për çfarë është folur në mbledhje. Ai tha se iu kushtua problemeve organizative të partisë.

“Mbledhja e Komisionit të rithemelimit të PD iu përkushtua tërësisht problemeve organizative të Kuvendit të ardhshëm dhe problemave të tjera organizative të PD-së. U diskutua gjerësisht për listat me të cilat do votohet gjatë këtyre javëve për kryesitë, për kryetarët dhe tani disponohen lista të vitit 2019, të qershorit të vitit 2021 dhe të referendumit të 18 dhjetorit 2022.
Lista do u dërgohet kryesive të PD-së që do jenë ato që do japin viston përfundimtare për listën që do votojnë anëtarët e PD-së. Kam besim të plotë se ekziston vendosmëri për të bërë gjithçka që çdo anëtar i PD-së të votojë, të shprehë vullnetin e tij për kryetarin e degës, për kryetarin e grup seksionit. Në mbledhje u diskutuan probleme të tjera dhe me këtë rast dhe njëherë dua të garantoj çdo anëtar të PD-së se formulari i shpërndarë nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç pajisjes me dokumentet e PD-së dhe jo për qëllime votimi. Këtu duhet të jemi shumë të qartë. U ra dakord që çdo proces për të cilin një anëtar i PD-së ka objeksion t’i nënshtrohet procesit të përbashkët të auditit, çka do të thotë përputhshmërisht me statutin. Në këtë diskutim të zgjeruar diskutuam për zgjerimin e spektrit të organizatave diskutuam për zgjerimin e organizatave të bashkëpunimit me organizata të tjera përveç organizatave partnere, ky bashkëpunim do jetë lokal dhe qendror. PD hapet, është një hap i mëtejshëm drejt hapjes së kësaj partie. U diskutua dhe u ngrit grup pune për të hartuar udhëzuesin e ngritjes së degëve të PD në emigracion dhe diasporë. Pra, ishte një mbledhje kushtuar problemeve organizative të partisë”, deklaroi Berisha. 

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës ditën e sotme për njohjen e statutit të Partisë Demokratike miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit, Berisha ka njoftuar mbledhje të Komisionit të Rithemelimit, e cila nisi në orë 13:00.

Çështjet që do të diskutohen në këtë mbledhje kanë të bëjnë më deklaratën e ambasadores Yuri Kim një ditë më parë e cila njohu Enkelejd Alibeajn si ushtrues të detyrës së kryetarit dhe drejtuesit të Grupit Parlamentar të PD.

Një tjetër çështje e diskutuar ka të bëjë me situatën aktuale të PD dhe mundësinë e bashkimit të saj. Pritet gjithashtu diskutime lidhur me mbledhjen e Grupit Parlamentar. Një tjetër çështje që do të jetë në rend për t’u diskutuar lidhet me riorganizimin e partisë në bazë, me zgjedhjen e kryetarëve të degëve që pritet të mbahet më 20 Prill.

Sakaq një tjetër pikë  është ajo për çështjet që lidhen me organizmin e Kuvendit Kombëtar të PD, që pritet të mbahet më datë 30 Prill, ku do të lindin institucionet dhe forumet e reja të PD.

Nga ana tjetër Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që të ndalet ajo që është duke u përgatitur nga Komisioni i Rithemelimit, pikërisht Kuvendin Kombëtar, por Berisha i ka kujtuar vendimin e Gjykatës, duke thënë se kjo është një nga arsyet për të treguar se ky grup është ai që është në krye të Partisë.

Mësohet se në këtë mbledhje marrin pjesë anëtarët e Grupit të Rithemelimit dhe ish-funksionarë apo ish-deputetë të PD, ndërsa në fund të mbledhjes pritet që Sali Berisha të mbajë një deklaratë për mediat.


Vendimi i zbardhur sot, dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri më 25 mars, njohu si legjitim Kuvendin e 11 dhjetorit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, duke i hapur kështu rrugë zyrtarisht Komisionit të Rithemelimit.