Ish-kryeministri Sali Berisha nga Belshi ku zhvilloi një takim me fermerët, është pyetur nga një i mposhuar lidhur me faturat e energjisë elektrike dhe mungesës së ujit vaditës dhe të pijshëm.
Berisha zbuloi koston me të cilën prodhohet 99% e saj dhe ajo është vetëm 0.9 lekë për kilovat, por qeveria e shet te qytetarët me 95 lekë.
I moshuari në takim: Futja e Demokracisë, çlirimi i dytë i Shqipërisë. Kjo fjalë nuk më hiqet nga mendja mua, fare. Jam i moshuar, jam 85 për 86. Kam disa pakënaqësia, qe qysh qe. Vajti qysh vajti. Se kur erdhi demokracia u gëzuam por që do ishim kaq armiq ndaj njëri-tjetrit nuk e prisnim. Por jam i gëzuar se u ktheve sot për herë të dytë demokrat këtu. Se ça domethënë avokat, e di ti se unë pa shkollë jam. Ne po luftojmë njëri-tjetrin socialistë dhe demokratë. Por ne jemi vëllezër. Po plasi lufta s’ka demokratë e socialistë. Unë kam pakënaqësi, kur unë qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, më vinë në librezën e çunit 13 milionë lekë drita. I bëj thirrje Edi Ramës se 100 milionë ka, se qenka më i mirë ai italiani se unë që jam shqiptar. Nxirre ta marrë Sali Berisha. Mos i lini këto gjëra. Një gjë tjetër kam se janë me ujë këtu gjolet. Me 7501 mua ma morën tokën. Tokës time, të babës tem gjyshit tem nuk i njihet emri. Ta bëj kërkesë të më njihet mua. Ikëm nga kjo një thirrje i bëj Sali Berishës. Populli i Dumresë jemi punëtor, por gjërat e tjera nuk po ikin mirë se na zuri varfëria, por fëmijët e mi të rrinë në emigracion.
Berisha: Do të them vetëm një fjalë për energjinë. Energjia në Shqipëri prodhohet nga hidrocentralet në masën 99%. Prodhohet me kosto 0.9 lekë në prodhim. Kaq është kostoja. Ja u shet qytetarëve me 95 lekë. Ja u shet pra 95 herë mbi koston dhe kjo është absolutisht e padrejtë. E rriti çmimin nga 70 në 95, ndërsa biznesit nga 60 në 180 lekë. Pra është gjithçka se çfarë shikon. Nëse shikon interesin e qytetarit ti këtë s’duhet ta bësh kurrë. Ti nuk e prodhon nga termocentralet që të fusësh litrin e naftës. Po kështu uji, kanë shumëfishuar çmimin e ujit në një vend që ka ujë plot. Ka vende në Evropë që kanë ujë dhe ia japin falas qytetarëve. Unë nuk them falas por në mënyrë absolute çmimi i ujit do të përgjysmohet. Shkoni në burimet e Tomorit, ato mjaftojnë për të furnizuar me ujë nga Lushnja deri në Vlorë. Merr burimet e Vaut të Dejës për gjysmën tjetër të vendit. Por ky mendon si t’ia heq bashkive faturat e ujit dhe t’ia jap qeverisë që ti grumbullojë. Gjërat janë në konceptin e bordeve komuniste. Bordet rrisin çmimet sipas dëshirës së qeverisë dhe oligarkëve të saj.