Kryetari në detyrë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka deklaruar në ABC Live me gazetaren Juli Xhokaxhi, se para një muaji e gjysmë i ka ofruar kreut të PD Lulzim Basha dorëheqjen e tij dhe ai nuk e ka pranuar.
“Dorëheqjen ia kam ofruar kryetarit të partisë para një muaji e gjysmë në zyrën e tij dhe nuk e ka pranuar. Unë nuk e kam problem dal e jap deri nesër dorëheqjen. Kur ndodhi peticioni i të rinjve e kam dorëzuar në tavolinë”, tha ai.
Ai tha se zgjedhjet ishin shtyrë për këtë shtator, për shkak se një vit më parë nuk u arrit organizimi i tyre si pasojë e pandemisë e cila ndalonte grumbullimet.
“Në 2020 nuk mund të bënim zgjedhje fair për shkak se ishte kohë pandemie dhe ndaloheshin grumbullimet. E kemi diskutuar dhe kishim gjykuar që në shtator të këtij viti unë të paraqisja dorëheqjen dhe sekretari i forumit rinor të ndiqte zgjedhjet në çdo strukturë.
Do ta shihni dhe në ditët në vijim. Unë e kam mbyllur ciklin tim në forumin rinor. E kam dhënë kontributin tim. Jemi të gjithë jashtë mandatit. Por ka një problem.
Në këtë moment e gjetëm të bëjmë zgjedhje. Në një komision ku nuk është sekretari. Basha nuk i bën dot zgjedhjet ashtu si do sepse ne kemi statut. Ka një problem shumë të madh. Forumi rinor nuk është një grup njerëzish. Unë e kam ofruar dorëheqjen time për shkak të një krize një muaj më parë.
Do të kemi aksionin tonë në ditët në vijim. Nuk ka shans të hyj në këtë situatë për të mbajtur karrigen e forumit rinor. Vendimi i Bashës është kontestuar 100%”, deklaroi ai.
Ai tha se ka marrë vendimin për të shkuar në Foltoren e Berishës pasi ka marrë ftesë nga të rinjtë e forumit rinor që kanë ndjekur 13 Foltoret në rrethe. Këlliçi u shpreh se Basha ka qenë përfituesi më i madh i pushtetit të demokratëve dhe sot nuk duhet të heqë paralele mes Berishës dhe Ramës.
“Ka pasur një peticion nga të rinjtë e forumit rinor që kërkuan që vendimi i Bashës për largimin e Berishës të ishte nul. Unë kam pasur diskutime të brendshme.
Në 13 Foltore, kryetarët e forumeve kanë qenë pjesë e tyre. Gjykoj që në çdo krizë, duhet të vijë zgjidhja në institucione.
Vihet shenja e barazisë mes Berishës dhe Ramës. Unë gjykoj që çdo forcë politike që nuk respekton historinë e saj nuk ka identitet. Basha ka qenë përfituesi më i madh i pushtetit të demokratëve dhe sot vë shenjë barazie mes Berishës dhe Ramës. Unë me këta të rinj kemi 6 vite që hamë gaz dhe shkojmë në protesta.
Është i vetmi forum rinor në Ballkanin Perëndimor që ka çdo anëtar që ka provuar qelinë. Jemi arrestuar dhe kemi çështje penale për shkak se kemi qenë në protesta për të sjellë Bashën në pushtet.
Ky forumi që ai thotë sot që ka mandate të skaduara deri më 25 prill bënte fushatë për Bashën. Kryetar partie sot të bëjnë njerëzit.
Si mundet ne ta bunkerizojmë partinë. Kam pritur një analizë për humbjen e zgjedhjeve dhe deri më tani nuk ka asnjë reflektim. Kjo situatë zgjidhet vetëm duke thënë të vërtetën. Unë nuk jam këtu për të thënë që ai gënjen dhe as për ta sulmuar”, deklaroi ai.