Belind Këlliçi: Dyshja Rama-Balluku gënjen, në llogaritë e Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas janë derdhur 1.4 miliardë lekë

Pas denoncimit se në llogaritë e “bosëve të inceneratorëve”, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë derdhur 1.4 miliardë lekë, PD ka akuzuar sot kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku se gënjejnë në reagimet e tyre.

belind kellici selif-e41e-4349-8b78-90330001409b

Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi tha se: “dyshja Rama-Balluku reagoi dje, pasi opozita denoncoi derdhjen në kontot e të kërkuarve Zoto e Gugallja të 1.4 miliard lekëve.

Reagimi nuk u bë për transparencë, por për të hedhur gënjeshtrën e radhës mbi rrenat e marinuara gjatë.

Ata thanë se, vërtetë u janë dërguar 1.4 milard lekë brenda ditës, POR nuk ishin ata… ishte Agjencia që ka marrë në administrim djegësat që i kërkoi Ministrisë së Energjetikës të bëjë pagesën.

Sipas Ballukut kontrata parashikon: “Në çdo kohë gjatë afatit të kësaj kontrate, AK është i detyruar, të garantojë pagesën e kësteve të mbështetjes financiare sipas aneksit “V” bashkëlidhur kësaj kontrate, dhe të mos i ndërpresë ato përveçse në rastet e parashikuara nga dispozitat 10.9 ‘Braktisja’ dhe 11 ‘Zgjidhja e kontratës së koncensionit’ të kësaj kontrate”.

I themi Rama-Ballukut se Kodi penal i Shqipërisë nuk njeh asnjë kusht për konfiskimin e veprës së krimit.

Por, kjo ndodh kur kontratën e harton dyshja Rama-Balluku për kompaninë e vetë, në të cilën ndajnë paratë dhe gënjejnë se u bënë 10 procedura brenda ditës!

Kjo ndodh me kontratën Rama-Zoto, të firmosur në kundërshtim me ligjin dhe opinionin me shkrim të Agjensisë së Prokurimeve publike me procedurë të mbyllur.

Kjo ndodh me kontratën të cilën Drejtoria Juridike nuk u lejua as të shohë, dhe jo më të komentonte apo, larg qoftë, të vendoste kushte veç atyre që donte Rama-Zoto!”.

Ndërkohë Këlliçi ka ngritur pesë pyetje:

1. Pse SPAK nuk sekuestron produktin e veprimtarisë kriminale?

2. Pse Ministria e Energjetikës nuk vepron me zgjidhjen e kontratës për mospërmbushje detyrimi… sepse nuk funksionon inceneratori (në kontratë duhet të ishte në punë qysh para 2 vitesh!)?

3. Kush e hartoi kontratën me detyrim të pagesave të kësteve, pavarësisht fillimit apo vazhdimit të punimeve?!

4. Me që Ministria e Energjetikës qenka e detyruar nga kontrata të vazhdojë me mbështetjen financiare, përse, po në bazë të kontratës, nuk e konsideron ‘kërkimin ndërkombëtar’ për dyshen Zoto-Gugallja si braktisje nga kontraktori?!

5. Përse nuk e zgjidh kontratën me kontraktorin Ministria për mospërmbushje të kushteve thelbësore dhe mbivendosjen e veprave penale në këtë procedurë e kontratë?!

Këto jane pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por shuuumë të vështira për drejtësinë e kapur nga Rama.

Ne mendojmë se inceneratorët janë mega aferë ku Edi Rama është kapur duke ndarë paratë me Agaçin, Ahmetajn, Veliajn, Zoton dhe Gugallen, ndaj nuk pranon që të ndalohen pagesat dhe as që drejtësia të sekuestrojë produktet e krimit.

Po ju të dashur shqiptarë, si mendoni?