Belind Këlliçi ka denocuar, siç thotë ai, fakte të reja për përfshirjen e Erion Veliajt në aferën korruptive të Inceneratorit të Tiranës.
Në dalje për Mediat, Këlliçi akuzoi Veliajn për korrupsion dhe shpërdorim të parave publike.
Deklarata e Plotë e Këlliçit
Të dashur qytetarë!
Jam sot sërish përpara jush për të demontuar përfundimisht me dokumente, me fakte të pakontestueshme, me zë dhe me figurë, mashtrimin e Erion Veliajt në lidhje me studimin e Bankës Botërore dhe IFC, i propozuar 1 vit përpara se kryemashtruesi Veliaj të merrte detyrën në Bashkinë Tiranë.
Në shkurt të vitit 2014 IFC, ka dorëzuar studimin e fizibilitetit për projektin e menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Tiranë.
Të dhënat hetimore te mbledhura nga Prokurori Dritan Prençi, faktojnë se ky studim është pikënisja e procedurës së dhënies me koncesion të trajtimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës.
Ish Ministrat e Financave Cani dhe Ahmetaj e kanë kundërshtuar fillimisht dhënien me konçension, pasi investimi që parashikonte ky studim mund të përballohej lehtësisht me fonde buxhetore.
Erion Veliaj publikisht i është referuar shpesh këtij studimi duke konfirmuar se kosto e parashikuar për trajtimin e mbetjeve ishte 38 euro/ton, por duke fshehur qëllimisht çfarë do të mbulonin këto kosto.
Ju ftoj ta ndjekim me zë dhe me figurë mashtrimin e Erion Veliajt në lidhje me këtë studim:
Ndryshe nga sa pretendon pronari faktik i Inceneratorit Tiranë, në faqen 4 të këtij studimi sqarohet në mënyrë shteruese se Bashkia e Tiranës në vitin 2014 po mendonte të jepte me konçension jo vetëm depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve por gjithë zinxhirin, citojmë:
1. Analiza Teknike
Bashkia Tiranë kërkon të përmirësojë sistemin e menaxhimit të mbetjeve, me pjesëmarrjen e sektorit privat. Për të arritur këtë qëllim Bashkia Tiranë po mendon dhënien e nje konçensioni për menaxhimin e mbetjeve te ngurta në territorin e kësaj Bashkie.
Qëllimi i projektit do të jetë:
a) Shërbimi i pastrimit të rrugëve
b) Mbledhja e mbetjeve dhe transporti
c) Zgjerimi i i landfillit ekzistues duke rritur kapacitetet depozituese
d) Depozitimi i mbetjeve në landfill
e) Trajtimi i mbetjeve
Sa më sipër qartësohet se kosto 38 euro/ton që ka vlerësuar IFC përfshinte jo vetëm trajtimin e mbetjeve, por të gjithë procesin e trajtimit duke filluar që nga pastrimi i rrugëve, mbledhja e mbetjeve, transporti, depozitimi e në fund trajtimi i tyre.
Kosto sipas IFC ndahej në dy komponentë, analizimi i të cilave është bërë në pikën 3 të studimit, citojmë:
Kostot operative dhe të mirëmbajtjes:
12 euro/ton për trajtimin e mbetjeve në Landfill
26 euro/ton për mbledhjen e mbetjeve (kosto kjo e përcaktuar bazuar në standardet ndërkombëtare të kësaj industrie)
Sot Bashkia Tiranë ndryshe nga sa mashtron publikisht Erion Veliaj, paguan 29 euro/ton për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës dhe 16.700.000 euro (referuar PBA 2024-2026) për pastrimin e rrugëve dhe mbledhjen e mbetjeve, të cilat nga viti 2024 i paguhen një tjetër monopoli ECO TIRANA.
Bashkia Tiranë sipas të dhënave të strudimit të IFC dhe të dhënave ndër vite trajton jo më shumë se 250.000 ton mbetje në vit, e nëse do të bënim një matematikë të thjeshtë, kosto e pastrimit dhe mbledhjes së mbetjeve do të ishte 66.8 euro/ton me tvsh (16.700.000/250.000), duke e çuar koston e trajtimit të mbetjeve për të gjithë zinxhirin nga 38 euro/ton, në 101.6 euro/ton me tvsh.
Të nderuar qytetarë,
Erion Veliaj, si pronar faktik i inceneratorit Tiranë, me veprimet e tij aktive dhe vullnet personal, ka dyfishuar kostot e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet dy procedurave korruptive atë të dhënies së konçensionit të trajtimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës kompanisë INTEGRATED ENERGY BV SPV dhe procedura për dhënien e monopolit të pastrimit të qytetit kompanisë ECO TIRANA.
Ky material si dhe studimi i fizibilitetit të IFC të muajit shkurt 2014, i’u përcoll sot zyrtarisht SPAK dhe Altin Dumanit, në mënyrë që e ashtuquajtura “drejtësi e re” të bëjë punën e saj.
Erion Veliaj duhet të shkojë përpara drejtësisë dhe ligjit jo vetëm si pronari faktik i inceneratorit Tiranë i cili ka vjedhur deri më tani 132 milionë euro nga paratë e shqiptarëve, jo vetëm si kreu i bandës famëkeqe 5D, por edhe për kriminalizimin e industrisë së ndërtimit, duke i hapur rrugën pastrimit të parave nga grupet më të rrezikshme kriminale të Europës.
Gjej rastin të ftoj sërish qytetarët e Tiranës, të protestojmë përpara Bashkisë Tiranë, ditën e premte, datë 21 qershor, ora 11:00, për largimin e menjëhershëm nga zyra të hajdutit më të madh që ka parë vendi ynë, Erion Veliajt.
O sot, o kurrë.