Nga: Bekim Bici
Prej datës 6 shtator, në Tiranë u zhvillua java kulturore kineze, një eveniment që organizohet thuajse nga të gjitha ambasadat dhe trupat diplomatike të akredituara në vendin tonë. Java kulturore shihet si një mundësi kontaktesh edhe të bizneseve kineze për të investuar në vendin tonë. Por nëse do të ishte deri këtu, pra marrëveshje e pastër biznesi, gjithçka do të ishte e mirëpritur.
Por çfarë ndodh?!
Bashkimi Europian por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë ngritur jo rrallë herë pikëpyetje ndaj investimeve kineze, kjo për shkak të politikave të fshehta të këtyre investimeve. Ata shpesh japin hua dhe investojnë në projekte që nuk janë rentabël vetëm për të përfituar në këmbim asete strategjike ose për të ndikuar në vendim marrjen politike dhe ekonomike të atij vendi.
Kina përdor një diplomaci kurthi, ose ndryshe praktika huadhënie kurth, në të cilat ngarkon vendet e varfra me hua të papërballueshme për ta, në mënyrë që të përfitojë ndikim politik dhe ekonomik. Raste flagrante ka si në Afrikë e Azi, por nëse do të ndaleshim tek rastet konkrete, Mali i Zi dhe Sri Lanka, janë shembujt më tipik.
Të dy vendet kanë rënë dakord ti dorëzojnë kinezëve kontrollin e porteve të tyre strategjike nëse nuk arrijnë të paguajnë huatë kineze. Sri Lanka tashmë ja ka dorëzuar prej disa vitesh portin e saj më të madh strategjik kinezëve dhe në qershor vendi shpalli falimentin prej borxheve të papërballueshme.
Mali i Zi për të ndërtuar autostradën e parë në vend me kosto jashtë logjikës ekonomike do të duhet ti japë Kinës kontrollin e portit më të madh dhe strategjik të Tivarit (Bar) nëse nuk paguan këstet e borxhit ndaj shtetit kinez. Në të tillë situatë, rreziku kinez ishte eveident për të gjithë Europën, çka shtyu Bashkimin Europian që të ndërhynte dhe të ndihmonte Malin e Zi në shlyerjen e kësaj huaj, në mënyrë që porti strategjik të mos binte në duart e kinezve, çka do ti siguronte këtij shteti dalje në Detin Mesdhe.
Por krahas kësaj, me investimet kineze në Shqipëri, është vënë re edhe një tjetër strategji.
Në këto investime priren që përfitimet të mos jenë nga lokalitetet ku investohet, por sërish sjellin punëtorë kinezë. Edhe në rastet kur ka krah pune shqiptar, sërish ka një diferencim të madh në paga. Rastet për këto janë të shumëta, mjafton të hyhet në listën e pagave të bëra publike muaj më herët.
Në të tilla kushte, vigjilenca duhet të jetë e shtuar, si në aspektin shtetëror, ashtu edhe atë privat.