Kreu i PD Lulzim Basha e ka mbyllur me një mesazh të fortë fjalën e tij në aktivitetin e zhvilluar në përkujtim të 31-vjetorit të Lëvizjes Studentore, që rrëzoi regjimin komunist. Përpara dhjetëra demokratëve Basha u betua se PD do të qëndrojë e fortë dhe e bashkuar. Lideri i demokratëve u shpreh se PD do jetë e fortë dhe e bashkuar që të përmbushë misionin e dhjetoristëve të vitit 1990.
“Në këtë 8 dhjetor betohem se PD është në këmbë e fortë, ka ditur dhe do dijë të qëndrojë në këmbë e fortë e bashkuar sepse ne kemi një misionin, lirinë demokracinë si gjithë Evropa e kemi marrë nga dhjetoristët dhe se dorëzojmë derisa ta bëjmë realitet”, tha Basha mes të tjerash.
FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË AKTIVITETIN PËR 8 DHJETORIN
Ju falënderoj nga zemra për mikpritjen! Faleminderit shumë!
Në radhë të parë dua t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë dhjetoristëve të dhjetorit 90 që kemi në mes tonë, respektin, mirënjohjen e përjetshme ndaj veprës tuaj.
Faleminderit!
Së pari dhe mbi të gjitha dua t’iu shpreh edhe si 16 vjeçar i dhjetorit të 90-ës, edhe si qytetarë, si shqiptar, si prind , edhe si demokrat, edhe si kryetar i Partisë Demokratike, mirënjohjen më të thellë, dhjetoristëve të 90-ës, të gjithë atyre që na janë bashkuar sot këtu, që iu dhanë zë disa prej tyre së fundmi, Spiro me rrëfimin e tij së bashku me Agimin. Shumë prej tyre mund të mos i kemi në këtë sallë, disa janë ndarë përjetësisht nga ne duke filluar me tribunin, me udhëheqësin e lëvizjes studentore, Azem Hajdariin të paharruar. Dhe të them se sa i lumtur jam që i ftuar në këtë aktivitet, për të cilin përgëzoj fondacionin për Liri dhe Demokraci në Partinë Demokratike dhe zonjën Enriketa Papa, drejtuesen e këtij fondacioni.
Sa i lumtur jam që në këtë sallë ndodhen të ndërthurur në një shpirt të vetëm, siç tha Spiro, dhjetoristët e vitit 1990 dhe brezi i ri, rinia e 2021-it, të rinj dhe të reja, e në veçanti të rinj dhe të reja demokratë që janë shpirti i pamposhtur i Partisë Demokratike. Janë shpirti i pamposhtur i Partisë Demokratike, teksa kemi vite që përballemi me një tjetër regjim. Por para se të flas për këtë, dua t’iu them që në ADN-në tuaj, të rinj dhe të reja të Partisë Demokratike, të rinj dhe të reja shqiptarë, edhe ju që nuk jeni anëtarë të Partisë Demokratike, por që jeni ngritur në revolta dhe protesta, nga armët kimike tek protestat studentore të dhjetorit 2018-të, në ADN-në tuaj ndodhet patjetër guximi i dhjetoristëve të vitit 1990. Ne duhet të përulemi para këtij guximi, dëshmitë për të cilën nuk mungojnë, që nga takimi i gjashtë apo më shumë personave në një dhomë ku nisi lëvizja dhe pastaj u shtri kudo.
Sepse duhet të kujtojmë se ndodhi jo në një vend normal. Nuk ndodhi as në një vend normal Komunist, saç mund të quhet normal Komunizmi, se në fakt është paradoks. Por ndodhi në një nga regjimet më të egra diktatoriale që ka njohur planeti. Ku nuk kishte thjesht një perde të hekurt, por një rrethim të çeliktë të vendit dhe të shqiptarëve që e çante herë pas here vetëm mesazhi që përcillej përmes valëve të Zërit të Amerikës, nga përtej Atlantikut.
Sepse e vërteta është që të mendoje ndryshe ishte kurajo e madhe, ta thoje atë ishte një kurajo edhe më e madhe. Ndaj, duhet ta kuptojmë, ndaj duhet ta nderojmë ditë për ditë dhe jo vetëm në 8 dhjetor, guximin e dhjetoristëve të 1990-ës.
Miqtë e mi jemi këtu dhe dua ta them se guximi e mposhti frikën, e mposhti frikën dhe solli lirinë politike, solli pluralizmin. Është thënë më përpara, e kam thënë dhe unë, sepse është e vërtetë. Janë 3 ngjarje, por është 1 ngjarje: Kryengritja studentore e dhjetorit 90, liria politike e pluralizmit, lindja e Partisë Demokratike, janë tre në një. Dhe nuk është rastësi. Por miqtë e mi, duhet ta themi se rruga ishte e vështirë, pikërisht prej natyrës së komunizmit shqiptar, pikërisht prej terrorit që mbizotëronte, kultit të individit që u trajtua gjerësisht këtu. Kultit të individit të cilit për fat të keq vazhdon, siç vazhdojnë shumë aspekte të mentalitetit komunist të dominojnë jetën publike, politike, padiskutim trashëgimtarin e Partisë Komuniste, Partinë Socialiste, kundërshtarin tonë historik, por vazhdojnë edhe brenda familjes tonë politike. Dhe ky nuk është momenti për të thirrur emrin e kryetarit, sepse në vetvete që kulti i individit bëri është që shkatërroi individualitetin e çdo shqiptari. Dhe nuk mund të ketë Europë, nuk ka civilizim Europian, nuk ka qytetërim Europian, ne tani e dimë fal lëvizjes së lirë që është një nga veprat e mira të Partisë Demokratike për të cilët duhet te jemi krenarë dhe ballëlartë. Fal lëvizjes së lirë ne e dimë se Europë mbi të gjitha do të thotë individualitet. Secili është i shenjtë në individualitetin e vet, askush s’mund t’i mbivendoset askujt tjetër. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit, para Zotit.
Pra, ajo që ndodhi nuk ishte e lehtë për shkak të diktaturës, ndaj edhe guximi që mposhti frikën e dhjetoristëve ishte vetëm hapi i parë. Padiskutim vlerë ka, vlerë ta jashtëzakonshme ka edhe zgjuarsia, mençuria për të mos e kthyer përmbysjen e regjimit në një banjo gjaku. Edhe kjo u vlerësua nga profesor Mark Marku, por dhe kjo erdhi me një çmim, me një çmim kamatën në të cilën vazhdojmë ta paguajmë. Vazhdojmë ta paguajmë në formën e një mentaliteti që akoma nuk e kemi shkulur. Vazhdojmë ta paguajmë sepse ne e dimë, se ndryshe nga dëshirat tona dhe ndryshe nga çdo vend tjetër komunist, ndryshe nga shpresa e çdo shqiptari, zgjedhjet e 91-shit, Komunizmi arriti t’i merrte me dhunë, me manipulim, padiskutim, por arriti t’i merrte. Dhe ne jemi vendi i parë, mos ta harrojmë si shqiptarë, si qytetarët të Shqipërisë, si pjesëtar të një Kombi që shtrihet përtej kufijve tanë, që ka dhe Kosovë, ka dhe vëllezër dhe motra tona në Maqedoninë e Veriut, edhe në Malin e Zi, edhe në Luginën e Preshevës, e kudo tjetër, mos të harrojmë se u desh që në krahun të Partisë Demokratike në mënyrë unike për herë të parë dhe të fundit vinin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të mundnim komunizmin shqiptarë në marsin e 92-shit dhe të fillonim rrugën e ndryshimit.
Kjo rrugë ka njohur arritje të patjetërsueshme. Nuk ka asnjë forcë në botë të tjetërsojë këto arritje që mbajnë vulën e dhjetoristëve dhe krijesës së tyre, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Çarja e izolimit, kthimi i Shqipërisë në një vend që nuk ndryset me frikën nëse kufijtë do t’i ketë të dhunuar përsëri siç i kemi pasur në shekuj përmes futjes në NATO, lëvizjes së lirë, heqjes së vizave e shumë e shumë arritje të tjera mbajnë jo rastësisht, nuk ka rastësi, mbajnë për shkak të sakrificës së demokratëve vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe për këto duhet të jemi krenarë. Por, ndërkohë që 8 dhjetori na thërret si gjithmonë të kujtojmë e të falënderojmë, e të respektojmë e të përkulemi para veprës së dhjetoristëve, radhe herë kemi kërkuar falje. Dhe sot është edhe dita për të kërkuar falje. Është dita për të kërkuar falje sepse 31 vjet më vonë ndodhemi përsëri në kushtet e një regjimi që shumë ka të përbashkëta me diktaturën dhe me produktet e diktaturës. Me diktaturën ka kryesisht të përbashkët AND-në. Nuk dua të shkoj më tutje sepse unë besoj në reformimin e individit siç besojnë të gjithë të djathtët, çdo individ ka të drejtën dhe mundësinë nëse gjen forcën të reformohet dhe të shkëputet nga e kaluar që i lënë trashëgimi prindërit dhe është në dorën e tyre ta bëjnë këtë apo jo nëse trashëgimia e prindërve është gjakatare siç është ajo e PPSH-së. Por, le të merrem me atë që kemi të ngjashme sot, me pasojat e diktaturës që u përmbys pas goditjes që mori 31 vjet më parë dhe pasojat e regjimit të sotëm. Nuk dua të zgjaten, dua të ndalem tek një episod që nuk mund të më shlyhet nga mendja dhe që me siguri protagonistët e asaj kohe e kujtojnë dhe shumë dëshmitarë, qofshin ehe bashkëmoshatarët e mi të asaj kohë 16-vjerrarë e kujtojnë, një vajzë që sigurisht nuk ia di emrin, ndoshta ndodhet në këtë sallë, ndoshta jo. Ndoshta na ndjek, ndoshta nuk është këtu, ndoshta është jashtë shtetit që i kthehet Adil Çarçanit dhe i thotë: Nuk dua të lind fëmijë më, nuk dua të lind fëmijë për partinë tuaj. Është një thënie dramatike e cila mund të kuptohet vetëm nga prindi e mund të kuptohet akoma më shumë vetëm nga një nënë apo nga një vajzë që dëshiron të bëhet nënë. Nuk dua ë lind fëmijë, nuk dua të lind fëmijë për partinë tuaj. Kjo është një thënie e para 31 viteve, përplasur fytyrës së kryeministrit komunist të kohës Adil Çarçanit nëse s’gaboj ose ministrit të Brendshëm të saj kohe, por kjo pasojë e asaj diktature që në atë moment shpërthimi i dha këtë guxim kësaj vajze, kësaj studenteje, kjo pasojë sot është më e tmerrshme se kurrë, është pasojë e një regjimi të ri që me forma shumë më të sofistikuara njësoj i shtyp liritë, liritë ekonomike, liritë e shprehjes, lirinë e mendimit, barazinë para ligjit që ka instaluar kulturën e së keqes dhe akoma më keq, të pandëshkueshmërisë të së keqes, të së ngritjes së keqes në piedestal, të poshtërimit të së mirës, të uljes së kokës të të ndershmes, të punës të dinjitetit. Është pasojë e këtij regjimi që Shqipëria po zbrazet si asnjëherë në historinë e saj me ritme të barabarta ndoshta po i kalon ritmet e zbrazjes në fillim të viteve 90’.
Dhe këtu padiskutim përgjegjësi kryesor është regjimi. Regjimi që ka vrarë zgjedhjet, regjimi që ka vrarë zgjedhjet, regjimi që ka vrarë votën e lirë dhe në këtë mënyrë ka çuar në vdekje klinike demokracinë. Ne e dimë se detyra jonë kryesore është të përballemi me këtë regjim, por para se t’i rikthehem edhe njëherë për herë të fundit duhet të jemi të vërtetë dhe kur kërkojmë falje duhet të dimë për çfarë të kërkojmë falje. E vërtetë, zgjedhjet e 91-shit i manipuloi regjimi komunist dhe na u deshën aleatët tanë në krah të përballeshim dhe t’i largonim nga pushteti. Po kaq e vërtetë dhe me vërtetësi në shpirt ka ardhur momenti, 31 vite më vonë, nuk ka më kohë për mua, nuk ka më kohë për brezin tim sepse do të ishte një mëkat i pashlyeshëm ndaj 17-vjeçarëve të sotëm, ndaj 20-vjeçarëve të sotëm që të mbyllim sytë e të mos pranojmë atë pjesë të fajit që është e jona, faktin që shkulëm komunizmin por jo mentalitetin komunist, të mënyrës së vepruarit, të menduarit, të linçimit të mendimit ndryshe, të vënies dorë në zgjedhje që ishte kultura që ata imponuam në 91-shin, të atakimit të opozitarit si armik, të goditjes së mendimit ndryshe edhe tek liria e shtypit, të heqjes dorë nga gara e ndershme në ekonomi si tipari identitar i të djathtës shqiptare dhe favorizimit të klientëve nganjëherë të oligarkëve që tani i trashëguar regjimi. Pra, të kërkojmë falje. Dhe e kërkoj sot faljen si kryetar i Partisë Demokratike në emër të Partisë Demokratike, në emër të demokratëve shqiptarë për të gjitha ato përgjegjësitë tonat, gabimet tona, pse jo dhe fajet tonat që i kanë mundësuar këtij regjimi ta kthejë Shqipërinë në shumë aspekte në dimensionin e vuajtjes aty ku ishte 31 vite më parë dhe bashkë me këtë zotohem para jush dhe para çdo shqiptari që na ndjek në 8 dhjetor në këtë ditë të shenjtë, ditën e rinisë, ditën e lirisë se Partia Demokratike është në këmbë, Partia Demokratike është e fortë, Partia Demokratike ka ditur dhe do të dijë të qëndroje në këmbë e fortë, e bashkuar sepse ne kemi një mision, lirinë demokracinë Shqipërinë si gjithë Europa. E kemi marrë nga dhjetoristët dhe nuk e dorëzojmë deri sa ta bëjmë realitet.