Basha: Pandemia ka dalë tërësisht nga kontrolli, Rama ka dështuar! Qytetarët s’do i marrin paratë e ilaçeve mbrapsht


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk ka zbatuar planin e propozuar nga PD, duke bërë që pandemia të dalë tërësisht nga kontrolli në vendin tonë.

Në një konferencë për media, kryedemokrati deklaroi se askush nuk e beson më Edi Ramën, pasi sipas tij, ai bën gjithçka vetëm për veten.

“Sot kemi dëgjuar edhe njëherë avazin e 7 ditëve, prapë premtime boshe nga Edi Rama. Ai e ka futur ekonominë në krizën më të thellë të 30 viteve, ka premtuar se do të ulë koston e jetëve, por sot është në shifrat më të larta. 7 vite nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar njerëzit, vetëm llafe bosh, shkatërrim, rrënim, dhunim të pronës publike, të familjeve, të vendeve të punës. Askush nuk e beson më Edi Ramën. Ky është thelbi i çdo revolte të shqiptarëve. Është lajm i tmerrshëm që bën cdo gjë për veten, por ka dhe një lajm të mirë, që s’do të ketë më shans ta bëjë këtë. Nëse do na e kishte vënë veshin, pandemia nuk do të kishte dalë tërësisht jashtë kontrollit, qindra qytetarë nuk do të vdisnin kot e mijëra të tjerë të infektuar.

Është e pamundur për familjet, të sëmurët, të marrin mbrapsht paratë që duhet të shpenzojnë për kurim, sepse është një labirinth. Sot kishit përpara njeriun e premtimeve bosh, që vazhdon të mohojë krizën. Përgjegjësia është vetëm e tij, sepse prej 7 vitesh Edi Rama është peng i një grushti oligarkësh, kriminelësh. Dhe ja ku kemi ardhur, te një qeveri që nuk është e popullit, por e një pakice, që është e vetmja sot që shton fitimet. 1.1 miliardë euro borxh do të jetë bilanci vetëm i këtij viti nga qeveria. Një shumë e paimagjinueshme. Edi Rama ka dështuar dhe këtë e ka kuptuar i madh e i vogël. Nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe këtë e dinë të gjithë, madje dhe vetë ai. Ai ka vetëm një strategji, të hedhë fajin kudo tjetër, përveçse jo te vetja”, tha Basha.