Basha: Besa ime është për çdo demokrat e çdo shqiptar, siç ka qenë ditën e parë. Besa e vetme që kam lidhur me Sali Berishën kur kam qenë 17 vjeç

Kryedemokrati Lulzim Basha ka postuar një video të shkëputur nga intervista për “News 24” ku shprehet se nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve. Basha shprehet se besë prerja është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto 2 muaj nga Sali Berisha.

“Tani sa i përket besë prerjes, që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto 2 muaj nga Sali Berisha. Nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Jo! Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Që e ka ditur ta vlerësojë edhe publikisht. Besa e vlerave euroatlantike, që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO, besa e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Besa për interesat më të mira të shqiptarëve që nga heqja e vizave, tek ndërtimi i infrastrukturës moderne. Kjo ka qenë besa nëse mund të themi besë që kemi lidhur me njëri-tjetrin. Dhe jo t’i binim me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënoheshin interesat personale të tij apo të miat. Kjo është e vërteta! Dhe gjithçka tjetër është një spekulim i pastër për të mbrojtur hallet dhe problemet personale të Sali Berishës”- shprehet Lulzim Basha.