Basha: Berisha gënjen dhe shtrembëron gjithçka

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka ashpërsuar tonet ndaj ish-liderit historik Sali Berisha, duke e quajtur atë mashtrues. Teksa iu drejtua me një mesazh të gjithë demokratëve, Basha tha se në datën 11 dhjetor, nuk do të ndodhë asgjë.

Sipas tij, Kuvendi i thirrur nga Berisha do të jetë vetëm një tubim dhe se Kuvendi i vërtetë i PD është në 18 dhjetor.

Basha u shpreh se me retorikën e tij, Sali Berisha kërkon të përçajë demokratët, ndërsa tha se ai tani ka vendosur të heqë maskën.

Ndërkohë Basha teksa iu referua te derguarit të SHBA, Escobar, paralajmëroi se pas Berishës radhën e kanë të tjerët.

“Mesazhi i parë që i jap çdo demokrati, anëtarëve të PD, ju që qëndroni të bashkuar në një betejë kundër një regjimi të korruptuar që do të shembet falë qëndresës tonë, ju them se jam krenar të jem në krye të betejës për të përmbysur këtë regjim dhe për ti hapur rrugë Shqipërisë së vlerave.

Sot është dita për të thënë se PD nuk do ti nënshtrohet gënjeshtrave dhe mashtrimeve. Sali Berisha i serveri sonte për herë të fundit, duke gënjyer dhe shtrembëruar gjithçka vetëm për interesa personale. Jam këtu për ti thënë demokratëve se vullneti juaj nuk do bëhet fli për interesat personale të një personi.

Asgjë nuk do të ndodhë në 11 dhjetor. Nuk ka kuvend në datën 11, por ka një tubim të thirrur nga Berisha që mund të ketë demokratë që janë të çoroditur dhe të manipuluar nga Berisha. Ka faktorë të tjerë që duan të përçajnë PD, është trekëndëshi i Bermudë, që ka dalë hapur për të përçarë PD.

Sepse Rama e di fare mirë që me një Sali Berisha non grata asgjë nuk mund të lëvizë, sepse e di shumë mirë që pas Berishës siç është paralajmëruar sot nga Escobar radhën e kanë të tjerët.

Berisha të vijë në Kuvendin e demokratëve, në 18 dhjetor. Përçarjen e sjell retorika, retorika e Sali Berishës që ka vendosur më në fund të heqë cdo maskë dhe ashtu sic më ka thënë që ditën e parë që mbi veten e tij mos vendosë askënd.

Unë nuk tërhiqem nga beteja për demokratët dhe demokracinë, unë nuk tërheqim nga beteja për PD si e vetmja shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo është beteja ime, beteja e Berishës është me SHBA dhe kamuflimit që i bën me gënjeshtra dhe mashtrime marrin fund në 18 dhjetor. Në 18 dhjetor merr fund kjo tollovi dhe nisim betejën kundër Ramës. Në 11 dhjetor nuk do të ndodhë asgjë. PD dhe unë jemi të përgatitur per gjithcka”, tha Basha ne Opinion.

Sipas Bashës në Kuvendin e 11 dhjetorit nuk do të ndodh asgjë, pasi Kuvendi i vërtet sipas tij, është me 18 dhjetor.

Kreu i demokratëve tha se PD dhe ai është i përgatitur për gjithçka dhe se nuk do të tërhiqet nga asnjë vendim që kam marrë duke drejtuar selinë blu.

“Basha nuk është njeri konfliktual, por i arsyes. Nuk ka konflikt, ka luftë të një njeriu që do ti mbivendoset çdo demokrati, dëshirave dhe halleve të demokratëve dhe të tërheqë zvarrë me vargonjtë pas një fati të përcaktuar nga SHBA, ku as PD as unë nuk kemi pasur asnjë mundësi për të ndikuar.

E vetmja gjë që kam pasur në dorë është të marr vendime të duhura për demokratët, për PD dhe kam marrë përgjegjësinë e një njeriu që u zgjodh pak muaj më parë.

Asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar përveç vendimit tim, për pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar. Unë nuk tërhiqem nga beteja për PD. Beteja e Berishës është me SHBA dhe përmes konfliktit që ka nisur do të marrin fund më 18 dhjetor dhe së bashku vijomë betejën tonë kundër regjimit të Ramës, më 11  dhjetor nuk do të ndodh asnjë, nuk do të lejoj asgjë që të cenoj dinjitetit të demokratëve, PD dhe unë jemi të përgatitur për gjithçka”,-tha Basha ne emisionin Opinion.