Kryedemokrati Lulzim Basha, akuzoi gjatë seancës së sotme parlamentare kryeministrin Rama, për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe oligarkët në lidhje me ndërtimin e një kulle 50-katëshe në Tiranë.
Basha u shpreh se në këtë ndërtesë partnerët ndërkombëtarë kanë sjellë informacione se ka rezervuar një kat të tërë një bos i trafikut të kokainës.
Ishte deklarata e kryeministrit Rama se ndërtimi i shtëpive të qytetarëve të prekur nga tërmeti nuk u përfundua sipas parashikimeve paraprake, pasi ndikuan dhe vonesat e pandemisë, ajo e cila inicioi debatin.
Basha në kundërargumentin e tij theksoi se rindërtimi u vonua me justifikimin e Covidit, ndërkohë që kulla më e lartë 50-katëshe vijoi të ngrihej pandërprerje në Tiranë.
“Sa për sqarim zonja Nikolla, rregullat zbatohen pa asnjë përjashtim.
Kërkuesit të interpelancës i lind e drejta për replikë. Se çfarë katastrofe ka qenë me pandeminë dhe me rindërtimin shqiptarët e njohin në lëkurën e tyre. Pavarësisht se janë harxhuar më shumë para për propagandë, faktet janë aty.
Aty ku ende njerëzit jetojnë në çadër, apo në banesa me qera. Hajdutët e fatkeqësisë kanë planin që në zonën ku rrafshuan pallatet në Kombinat të ndërtojnë projektin, për të pastruar paratë që politikanët i kanë vjedhur qytetarëve, sigurisht në bashkëpunim me paratë e krimit që mban regjimin.
Sigurisht nëse ka diçka për të mbajtur duart me hundë është era e kërmës që qelb këtë sallë. E regjimit të instaluar duke blerë vota, duke shkrirë në një shtetin me partinë dhe të parit të këtij regjimi që krekoset me këtë pleh që nuk ka lidhje me demokracinë dhe me rrugëtimin europian.
Ka lidhje vetëm me babëzinë për para dhe pushtet që ju ka zënë sytë sot. Ndërkohë që Covidi ju pengoi të ndërtonit shtëpi, nuk ju pengoi të ngrihej kulla me 50 kate në bashkëpronësi me oligarkët, krimin e organizuar dhe bosët e kokainës.
Siç e di edhe ti fare dhe mirë, siç e di dhe unë nga partnerët tanë, ndoshta ta thotë dhe drejtori yt i ri se cili bos kokaine ka rezervuar çfarë kati te ndërtesa më e lartë në Shqipëri që Covidi nuk e ndaloi”, tha Basha.