Barinjtë e popullit; oligarkë, politikanë e liderë fetarë, kurohen jashtë.


Nga Vehap Kola

Oligarkët dhe politikanët e kanë thënë fjalën e tyre për sistemin shëndetësor në Shqipëri kur kanë zgjedhur të kurohen jashtë shtetit nga pasojat e COVID. E para ishte vetë konçesionarja më e bujshme, ajo e shërbimit check-up Vilma Nushi. Pas saj, të gjithë oligarkët dhe politikanët e lartë që janë prekur nga virusi. Një pjesë e tyre vazhdojnë të marrin kujdes shëndetësor në spitalet e Stambollit dhe Ankarasë gjatë këtyre ditëve.

Ndërkohë në Shqipëri mijëra të sëmurë nga COVID nuk marrin as shërbimin minimal të testimit, qindra të tjerë në gjendje të rënduar në shtëpitë e tyre luftojnë me vdekjen dhe me varfërinë që nuk i lejon të blejnë paketën e ilaçeve anti-COVID. Rreth 400 qytetarë janë shtruar në 2 spitalet COVID, të cilat janë tejmbushur dhe i lënë çdo ditë të sëmurët të presin në ambulanca. Por lirimi i shtretërve nuk është gjithnjë lajm i mirë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre i kanë nisur të zotët për në botën e amëshuar.

Facebook, veçanërisht, është shndërruar javëve të fundit në një faltore të madhe ku më shumë se sa socializim bëhen lutje dhe jepen lajmet e trishtueshme të largimit nga jeta të shumë qytetarëve të të gjitha moshave. Mediat dhe gazetarët na dëshmojnë çdo ditë qytetarë të prekur me COVID që nuk testohen dhe kur testohen i marrin përgjigjet me vonesë, që nuk blejnë dot Redemsivirin kritik për pacientët në gjendje të rëndë ose kur e arrijnë ta marrin e paguajnë sa dyfishi i çmimit në vendet e BE-së.

Javën e kaluar, në harkun e dy ditëve, lajmet se figurat kryesore të të tri feve të mëdha monoteiste u prekën nga sëmundja dhe u dërguan për trajtim të specializuar mjekësor jashtë vendit, pushtuan mediat. Me ankth, të gjithë besimtarët e cilësdo prej feve abrahamike në Shqipëri janë lutur për shërimin e shpejtë dhe rikthimin e tyre pranë familjeve dhe bashkësive të tyre. Ata janë vetë, tashmë, dëshmitarët më të mirë të një shëndetësie të kapitulluar, përderisa janë detyruar të drejtohen tek spitalet jashtë vendit për trajtim mjekësor më të specializuar.

Por ndërsa drejtuesit e bashkësive fetare arrijnë ta marrin këtë trajtim të veçantë dhe të kushtueshëm, pjesa më e madhe e popullsisë do të vazhdojë të përballet me të vërtetën e hidhur të shërbimit shëndetësor në vend: pa mjekë dhe infermierë të mjaftë, pa pajisje, pa medikamente.  Infermieri në spitalet COVID në Shqipëri do të vazhdojë t’u shërbejë më shumë se 15 pacientëve, mjekët do të punojnë 16 orë dhe qeveria do të publikojë çdo javë video propagandistike. Pacientët e varfër që nuk mund të paguajnë 12 mijë apo 18 mijë euro charterin ambulancë, dhe 1500 euro ditënatën e trajtimit në spitalet turke, do të kenë vetëm lutjen dhe shpresën se do t’i shpëtojnë vdekjes.

Për fat të keq, liderët fetarë nuk kanë thënë një gjysëm fjale për mënyrën se si po administrohet pandemia në Shqipëri. Përkundër fakteve të njohura për shumicën e qytetarëve, që na thonë se Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë, ka dhënë më pak fonde se çdo vend i Ballkanit për krizën, që nuk ka blerë asnjë kit testimi me buxhetin e saj, që teston më pak se çdo vend i Europës, që nuk mbulon siç e thotë ligji paketën e ilaçeve anti-COVID dhe që nuk raporton statistikat reale të vdekjeve dhe të infektuarve, barinjtë e grigjave të Perëndisë kanë preferuar të heshtin.

Duke heshtur ata, në mënyrë të paqëllimshme, kanë ndihmuar narrativën e propagandës zyrtare, që orvatet të vërë në gjumë ndërgjegjen e qytetarëve me pamje nga spitalet e botës, ku njerëzit trajtohen në ambulanca. Tjetërgjë se në Greqi, Itali, apo Gjermani, edhe në ambulanca, edhe në makinat private njerëzit marrin trajtimin e plotë shëndetësor anti-COVID dhe nuk paguajnë asgjë për këtë shërbim. Por, heshtja e udhëheqësve fetarë dhe interpretimi i një pjese prej tyre i kësaj epidemie si një murtajë që nuk është hera e parë që godet njerëzimin, vdekjen prej të cilës duhet ta pranojmë si caktim nga Zoti, është hiç më pak se opium për të tulatur mendjen e besimtarëve.

Duke mos e ngritur zërin për braktisjen totale të shëndetësisë nga shteti që merr miliarda euro taksa nga qytetarët, por që nuk harron të paguajë këstet e PPP-ve në shëndetësi e lloj-lloj tenderi që nuk ka urgjencë sot, udhëheqësit shpirtërorë të të gjitha feve kanë përmbushur pikërisht atë akuzë të armikut më të madh të feve, Karl Marksit, kur i akuzonte ato si opium për popujt.

Si besimtar mysliman, unë e di se dënimi i të keqes me fjalë dhe urdhërimi i të mirës me fjalë është shkallë e besimit të vërtetë. Është e lehtë të ngazëllehesh kur këtë parim fetar ta përmend një kandidat presidencial në ShBA. Por është dështim që atë parim qendrore për secilën nga fetë e mëdha monoteiste të mos e zbatosh në vendin tënd.

Nëse udhëheqësit fetare e reduktojnë besimin fetar në një ngushëllim për padrejtësitë e kësaj bote, pa gjetur forcë të urdhërojnë të Mirën dhe të dënojnë të Keqen, ata kanë pranuar de facto përshkrimin marksist të rolit të tyre në shoqërinë njerëzore.

Duke mos dashur të krijohet asnjë keqkuptim, nuk është aspak e gabuar që klerikët tanë të kërkojnë trajtim më të specializuar shëndetësor. Shyqyr që mundësi të tilla ekzistojnë dhe lutemi që klerikët tanë të shërohen plotësisht sa më shpejt.

Megjithatë, nuk mund të lihet pa thënë që edhe kjo krizë nxori në pah mungesën e përpjekjeve për drejtësi, qoftë edhe vetëm me fjalë, të klerit shqiptar të të gjitha feve.