Banorët e “5 Majit” paralajmërojnë grevë urie: S’tërhiqemi deri në vetëflijim. Fëmijët thirrje kryeministrit: Xhaxhi Edi mos na i prish shtëpitë


Banorët e “5 Majit”, banesa e të cilëve preken nga projektet për zhvillimin e qytetit kanë paralajmëruar se do të futen në grevë urie. Në një protestë të zhvilluar para kryeministrisë ata thanë se ky opsion është në diskutim, ndërsa u shprehën se deputetëve u kanë kërkuar që të ndërmarrin një nismë ligjore për njohjen e pronave dhe legalizimeve.

“Ne po shikojmë mundësinë të futemi në grevë urie, këtu para kryeministrisë. Ne do të përdorim të gjitha nismat. Po shohim si opsion futjen në grevie urie, deri në vetëflijim nëse është e nevojshme, nuk tërhiqemi. Deputetet të marrin një nismë ligjore për njohjen e pronave dhe legalizimeve”, tha një prej banorëve.

Ata i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama, që ta lexojë akt-marrëveshjen, pasi kështu, sipas tyre, ai do të kuptojë se nuk do ta firmoste as për shtëpinë e tij në Surrel.

Ndërsa në shenjë simbolike disa fëmijë iu drejtuan kryeministrit me fjalet: “Xhaxhi Edi mos na i prish shtëpiat”.

“Një ndër gjërat më të vështira qenka kur mundohesh të krijosh dialog me një mashtrues, siç është kryebashkiaku. I kërkoj që kohën që na e dedikon neve duke na mashtruar, ta dedikojë për zgjidhje. Banorët janë treguar shumë të qytetëruar. Po bëhet një propagandë e hapur.

Ai mashtron kokërr për kokërr. Unë shoh për ditë komshinjtë e mi, që u janë shembur shtëpitë dhe flenë nën rrënoja. Akt-marrëveshja fillon me një akt dhurimi. Unë nuk ja dhuroj shtëpinë bashkisë dhe askush që është këtu. Mes një qeverie negative dhe një bashkie shumë më negative, mendoj se kjo bashkia po mashtron dhe kryeministri vetë.

I kërkoj Ramës ta marrë vetë atë akt-marrëveshje, ta lexojë për 7 minuta, dhe do të kuptojë se ai vetë për shtëpinë e tij në Surrel nuk do ta firmoste në asnjë mënyrë. Ne po mbrojmë të drejtën. Erion Veliaj nuk është zotëri fare, sepse thotë se po përdorim gra e fëmijë. I them se nuk jemi marrë me mamin tat, babin tat apo fëmijën tat”, tha njëri prej protestuesve.