Nga: Bekim Bici, Gazetar në Top Channel
Bankers Petroleum, kontrasti i frikshëm/ Drejtorët me paga marramendëse, shqiptarët varfërohen, shoferi paguhet më shumë se deputeti
Bota po përballet me krizën më të madhe ekonomike e nxitur nga agresioni rus mbi Ukrainën. Në të tilla rrethana e gjithë bota po përballet me rritje të lartë të çmimeve, sidomos ato të hidrokarbureve. Gjatë samitit të fokusuar për të ndihmuar Ukrainën, liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord që të bllokojnë më shumë se 2/3 e importit të naftës ruse.
Por një fakt që ka ngjallur jo pak polemika ka të bëjë me naftën shqiptare, e cila në fillimet e krizës u përfol si një zgjidhje e përkohshme e krizës, për të mos lejuar rritjen galopante të çmimeve. Por pavarësisht kësaj, Shqipëria në harkun kohor të një jave u përball thuajse me një dyfishim të çmimit të hidrokarbureve. Kjo bëri që qytetarët të ngrihen në protesta, gjë e cila detyroi qeverinë të ndërhyjë dhe të ngrejë një komitet rregullator për kontrollin e çmimeve të hidrokarbureve.
Ironia e fatit qëndron në faktin se edhe pse vendi ynë ka rezervat më të mëdha të naftës në Europën Juglindore dhe është prodhuesi më i madh i naftës në Ballkanin Perëndimor, sërish shqiptarët përballen me çmimet më të larta të naftës në rajon. Një nga kompanitë kryesore në vendin tonë për nxjerrjen e naftës është Bankers Petroleum, një kompani e cila zotërohej nga kanadezët, por pas një sërë problemesh ajo u ble nga pronarët kinezë, me administrator Qing Fang. Bankers Petroleum ka në objekt të veprimtarisë së saj, mes të tjerave dhe nxjerrjen, përdorimin, shitjen apo eksportin e naftës që operon në Rrethin e Fierit.
Kjo kompani përballet me një sërë problematikash, një ndër të cilat ka të bëjë me pagat apo dhe diferencimet mes kinezëve dhe Publikim i listës së pagave, i cili përbën një nga skandalet më të mëdha të rrjedhjes së të dhënave sensitive, nxori në pah edhe këtë problematikë, në këtë kompani me administrator kinez, Qing Fang. Ajo që mund të konsiderohet në kufijtë e një ‘çmendurie’ është paga e Drejtorit në fushën e zhvillimit, Jihong Liu, e cila është 63,288,712 lekë, ndërsa e një tjetër drejtori në fushën e zhvillimit, Luntao Chen, është 10,916, 232 lekë, ndërkohë Shengbia Li, me të njëjtin funksion të raportuar është deklaruar me një rrogë prej 9,761,232 lekë. E përkundër këtyre drejtorëve, vetë administrator Fang ka deklaruar një pagë prej 9,110,938. Pra Bankers Petroleum Albania LTD, ka zgjedhur që Drejtorin e Përgjithshëm dhe Administratorin e tij, ti japë një pagë 7 herë më të ulët se të drejtorit Jihon Liu.
Por krahas kësaj diference në pagë të këtyre drejtorëve, e tillë është edhe diferenca mes punonjësve shqiptarë dhe atyre kinezë. Por të jesh pastrues në kompaninë Bankers Petroleum është fat. Sipas database të publikuar të pagave, paga për pozicionin ‘Punëtor krahu pastrim zyrash’ shkon në 180,057 lekë, por përkundër disa pastruesve që si duket janë të ‘preferuarit’, ka edhe pastrues me pagat që jemi mësuar të shohim në vendin tonë, prej 35, 000 lekë apo edhe 26,000 lekë. Por edhe të jesh shofer në këtë kompani është luks. Paga vijon nga 86,903 lekë e deri në 284,965 lekë. Një pagë që në fakt as edhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë nuk e merr.
Ajo që vihet re në këtë database të dhënash mbi pagën është se postet më të larta dhe rrjedhimisht që paguhen më shumë, u janë besuar shtetasve kinezë, që siç e cekëm edhe më lart, arrijnë të marrin paga deri në 63,288,712 lekë.
Teksa pagat e deklaruara janë të vësh duart në kokë për realitetin shqiptar, hije dyshimi janë ngritur ndër vite nga autoritetet shqiptare se një pjesë e kostove që Bankers deklaron si investime janë fiktive dhe të fryra artificialisht. Pavarësisht dyshimeve, por kompania nuk e pranon dhe për hir të së vërtetës gjithmonë në këtë përplasje me shtetin, kompania ka dalë fitimtare.
Ndërkojë të tjera problematika janë konstatuar ndër vite si fakti që ka shitur me mijëra tonë naftë dhe siguruar miliona euro të ardhura, por ka derdhur në buxhet si tatim-fitim zero taksa për më shumë se 13 vite. Kjo vjen nga fakti se kontrata koncesionare parashikon që të mos paguajë tatim-fitimin te shteti shqiptar nëse nuk ka rekuperuar kostot e investimeve të kryera. Deri në 2020, sipas të dhënave të dorëzuar në QKR-, Bankers pretendon se nuk ka rikuperuar ende këto kosto dhe shuma e paguar si tatim-fitim është 0 lek, megjithëse fitimi kontabël për këtë vit është rreth 3 miliardë lek, ose rreth 24 milionë euro.
Një tjetër problematikë është ajo e teknologjisë që përdoret nga kjo kompani. Prej vitesh, puset naftë-nxjerrëse funksionojnë me të njëjtën teknologji, dhe janë kryer vetëm disa investime minimale, teksa në përdorim vijojnë të jenë teknologjitë e vjetëruara dhe që ishin sjellë nga kompania kanadeze që zotëronte Bankers. Ka qenë kjo teknologji e vjetëruar, e cila edhe sipas ekspertëve në vitin 2015 u konsiderua një nga shkaqet e shpërthimit të puseve në fshatin Marinës, duke dëmtuar banesat e banorëve të zonës dhe duke shkaktuar edhe helmim të banorëve dhe tokës në atë fshat.
Edhe pse ajo që ndodhi ishte një skandal dhe vuri në rrezik jetën e banorëve dhe të të gjithë ekosistemit, sërish Bankers arriti t’ia hedhë pa u lagur, duke fajësuar natyrën për shpërthimin. Kompania premtoi riparimin e banesave, ndonëse për këtë disa banorë ende kanë pretendime. Po ashtu si për të kompensuar dëmet, Bankers zgjodhi të mbjellë disa pemë apo të shtrojë rrugën e fshatit të dëmtuar.
Në të tilla kushte, me këtë panoramë, është shteti ai që duhet të ndërhyjë, ose të rrezikojë të japë përshtypjen se kanë dështuar në çdo përballje me Bankers Petroleum.