Kryetari i komunës së Drenasit dhe ish ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se do të nisë procedurat që të shpallë “Qytetar Nderi” Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në statusin në rrjetet sociale ku ka bërë të ditur lajmin, Lladrovci përmend kontributin e Begajt në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër regjimit serb si arsye të dhënies së këtij nderimi.
Për punën humane gjatë luftës tonë çlirimtare, së shpejti do të filloj procedurat për shpalljen e Presidentit Bajram Begaj “Qytetar Nderi” i komunës së Drenasit.
Lufta çlirimtare në Kosovë, përfshiu burrat e gratë më të devotshme atdhetare, pavarësisht profesionit të tyre.
Rasti i dr. Bajram Begajt, është ilustrim i atdhetarizmit, profesionit dhe fisnikërisë. Plagët e ushtarëve të lirisë, i njeh mirë tash President, dr. Bajram Begaj.
Të plagosurit e UÇK-së dhe qytetarët e shumtë e merrnin përkujdesjen rrethanore në front, në spitalet e UÇK-së brenda Kosovës, apo tërhiqej i plagosuri nga fronti dhe dërgohej në Shqipëri.
Deri sa isha i plagosur, kujdesin ma ofroi njësiti shëndetësor, kur zëvendës drejtor i Spitalit Ushtarak ishte presidenti aktual, dr. Bajram Begaj. Kujdesi shëndetësor ndaj meje dhe të plagosurve tjerë, ishte shembullore. Jo vetëm se ishte kujdes sipas detyrës zyrtare dhe fisnikërisë së profesionit por edhe përkushtimin atdhetar.
Për këtë kujdes shembullor sa isha i plagosur e kujtoj dhe falënderoj edhe z. Dashamir Kadëna, zv. shef i ShIK-ut, z. Arben Isarai, Këshilltar për Siguri i Kryeministrit Majko dhe dr. Shaip Mujën.
Presidenti Begaj, jo vetëm që i njeh plagët tona, por edhe zemrën e UÇK-së, nga fillimet e saj, me lidhjen familjare në rrethana tjera edhe me Komandantin legjendar Adem Jasharin me shokë, nga viti 1991.
Duke njohur kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit Bajram Begaj gjatë luftës tonë çlirimtare, së shpejti do të filloj procedurën e shpalljes së tij “Qytetar Nderi” i komunës së Drenasit./BalkanWeb