Kur kanë mbetur më shumë se 24 orë nga nisja e finales së madhe të Tiranës, kryeqyteti është përgatitur në çdo detaj. Në lokacione të ndryshme të saj shihen copëza nga festimet dhe përgatitjet në bashkëpunim mes UEFA-s dhe FSHF.
Në sheshin “Skënderbej” që është dhe hapësira në dispozicion të tifozëve shqiptarë që kanë dëshirë të shohin ndeshjen, shihet një miniaturë e Kupës së “Conference League”. Banderola të ngjashme me logon e kupës, janë vendosur në shtyllat e ndriçimit, në mes dhe anash rrugëve, që paralajmërojnë këtë sfidë të madhe.
Krahas tifozëve në stadium, mijëra të tjerë kanë zgjedhur që të mbështesin ekipin e zemrës në hapësirat e tjera të vendosura në dispozicion. Ashtu siç është paralajmëruar, zgjatimi nga Ministria e Brendshme në drejtim të qendrës, do të jetë e kushtuar për tifozët e Feyenoord. Sheshi Skënderbej do të përshtatet për tifozët neutralë, kryesisht shqiptarë dhe Amfiteatri te Liqeni Artificial do jetë në dispozicion të tifozërisë romane.