Atentati që tronditi vendin, 40-vjeçari i ekzekutuar me breshëri plumbash ishte kthyer nga Spanja para 3 javësh

Detaje të reja nga atentati që tronditi sot qytetin e Vlorës. Burimet bëjnë me dije se Bledar Birçaj kishte tre javë që ishte kthyer nga Spanja. 40 vjeçari u ekzekutua sot pak pas mesditës në zonën e njohur si “Bishti i kalldrëmit” në qytetin e Vlorës. 

Pistat kryesore të vrasjes janë ajo e hakmarjes dhe trafikut të drogës në Spanjë, ku grupet e Vlorës kohët e fundit kanë gjetur një shtrirje në këtë shtet. 40 vjeçari nuk ka mundur të dalë fare nga makina, ndërsa mësohet se në trup i janë gjetur 7 plumba. Ndërkohë personi që ka qenë në makinë me të ka arritur të dalë pa u lënduar.

Dyshohet se autorët kanë qenë me makinë të vjedhur ndërsa janë larguar fillimisht në drejtim të Kuzumbabasë për të dalë më pas në rrugën e lumit të Vlorës. Policia është vënë në ndjekje të makinës por pa mundur ta ndalojë.

Ndërkohë në vitin 2011, Bledar Birçaj së bashku me një person tjetër, ka dashur të vrasë A. T. Por për këtë ngjarje Birçaj është arrestuar dhe më pas liruar me vendim të gjykatës së Vlorës. Hetimet për këtë ngjarje tashmë janë pushuar nga prokuroria e Vlorës.