Presidenti Iliri Meta shprehur ngushëllime per familjaret e viktimave të atentatit në Kosovë.
Statusi i Ilir Meta
Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur.
Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.
Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë!
Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor.
Kryeministri Edi Rama u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të sulmit ndaj autobusit të nxënësve mbrëmjen e sotme në Kosovë.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se jetët e marra nga plumbat e një egërsie meriton ndëshkim ekstrem nga drejtësia.
Ai i shpreh kurajo dhe mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues.
Postimi i Edi Ramës:
Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për sulmin me armë ndaj autobusit me nxënës në Deçan të Kosovës. Kryedemokrati ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
Basha, me anë të një postimi në rrjete sociale i uron shërim të shpejtë nxënësve që kanë mbetur të plagosur nga kjo ngjarje e rëndë.
Ai thotë se autoritetet duhet të bëjnë gjithçka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë së autorëve të këtij krimi makabër.
“Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithcka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër” – shkruan Basha.