Si pasojë e plumbave, kanë mbetur të vrarë tre persona, shoferi, pasagjeri në vendin e parë si dhe një pasagjer që ndodhej në sediljen e pasme të automjetit.
Në momentin e atentatit, personi që ishte në sediljen e pasme ka dalë nga automjeti dhe tentoi të largohej me vrap.
Por autorët janë kthyer dhe e kanë qëlluar edhe atë. Menjëherë pas ngjarjes, makina ka shpërthyer në flakë.
Tre personat që ranë pre e atentatit mësohet se po udhëtonin nga Tirana në drejtim të Mamurrasit.
Policia e Krujës ka dhënë versionin zyrtar të vrasjes së trefishtë që tronditi zonën e Fushë-Krujës ditën e sotme.
Uniformat blu bëjnë të ditur se është qëlluar me automatik në drejtim të mjetit tip “Volkswagen Passat” ku udhëtonin 3 viktimat.
Si pasojë, makina e tyre ka shpërthyer në flakë. Dy prej personave në automjet, janë djegur, ndërsa personi i tretë ka arritur të dalë nga makina.
Diklen Vata, 30 vjeç ka ndërruar jetë vetëm pak pasi ka dalë nga automjeti. Ndërkohë dy viktimat e tjera, jane identifikuar si Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha.