Besa u ka dhënë fund ditëve kolonjare dhe prej së enjtes u është kthyer seancave në Kavajë, në aneksin stërvitor. Gugash Magani vlerëson si të suksesshme fazën përgatitore, ndërsa krenohet me faktin që nuk kanë pasur asnjë dëmtim.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri rrëfen se pret ende nga merkatoja dhe konkretisht një portier dhe një mbrojtës. Nuk mund të mos fliste për objektivat, ndërsa konfirmon se misioni do të jetë ngjitja.
Magani, sa i kënaqur jeni me fazën përgatitore?
Nga ngarkesat e mëdha, zakonisht ka futbollistë që dëmtohen gjatë një fazë. Te ne nuk u dëmtua asnjë. Të gjithë përballuan shkëlqyer programin dhe kjo më kënaq më shumë.
Gjatë gjithë ditëve në Ersekë, pata grupin e plotë, gjë që më lejoi të zbatoja planin tim. Krahas gjendjes fizike, ndihem mirë dhe nga atmosfera që mbizotëroi gjatë kësaj faze. Pashë një grup në harmoni e mirëkuptim mes lojtarësh. Vetëm duke funksionuar si një familje, gjërat bëhen më të lehta.
Ndërkohë keni zhvilluar disa miqësore, çfarë fituar prej tyre?
Ju tashmë e dini se Besa është rikompozuar thuajse nga e para. Në ekip kanë mbetur nga sezoni kaluar vetëm Perja, Dobjani, Hoxha, Myzeqari e Sulovari. Në këto kushte, miqësoret i kam shfrytëzuar për t’u dhënë shansin të gjithëve dhe për të kuptuar se në çfarë rolesh ata mund të bëjnë më mirë.
Pra, rezultatet as që më kanë interesuar. Kam pasur të tjera qëllime. Shto këtu edhe kujdesin për të mos u dëmtuar, pasi nuk është se kemi 35 futbollistë në dispozicion dhe kampionati është në prag. Unë si trajner mora mesazhet që doja e prisja nga çdo futbollist në miqësoret që luajtëm.
Janë Dobjani dhe Haka në portë, por keni kërkuar sërish afrime për këtë rol?
Ne kemi vetëm Dobjanin portier titullar, por ia kam kërkuar presidentit edhe një portier tjetër. Duhet të ketë konkurrencë për çdo rol, duke nisur nga porta. Po ashtu pres përforcime edhe në prapavijë, sipas asaj që kemi folur me Bizhdilin. Ju do të thoni se grupi është i plotë dhe kjo është e vërtetë, por gara është e gjatë dhe kërkohet, sikurse e thashë, të dublohet çdo post në fushë.
Me këtë grup, deri ku mund të synojë Besa?
Janë shumica çuna të rinj, me dëshirë të madhe për të dhënë maksimumin. Në këtë kontekst kam shumë besim se grupi që drejtoj i ka mundësitë të vazhdojë luftën deri në fund për të synuar ngjitjen në Superiore.
Jam i vetëdijshëm se do të jetë e vështirë për këdo, pasi Kategoria e Parë këtë sezon ka emra me përvojë e histori. Ne do të ulim kokën e do të shohim javë pas jave punën tonë, duke nisur nga Tomori.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL