Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani i ftuar në Panorama TV ka folur edhe për protestën kombëtare që opozita do të mbajë më 20 shkurt.
Përballë gazetarit Kelment Baçi, ai është shprehur se po punohet me të gjitha rrethet dhe se të pranishëm në protestë do të jenë të gjithë shqiptarët që e duan vendin e vet, brenda dhe jashtë shtetit, për të treguar se kjo është një qeveri që NUK e duan.
Dogjani: Ne do të punojmë me të gjitha rrethet. Data 20 shkurt do të jetë një datë e rëndësishme, ku të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, kushdo që e do vendin e vet, të dalim dhe të protestojmë që t’i tregojmë të gjithëve se këtë qeveri nuk e duan shqiptarët.
Çarë ka bërë qeveria e Ramës në këto 10 vite? Pse me dhunë mbahet pushteti. Mund ta frikësosh popullin për një farë kohe, por vjen një moment që të merr përpara.
Strategjia e përjashtimit të deputetëve të opozitës.
Në seancat e fundit, deputetët e opozitës të grupit Bardhi – Berisha janë përjashtuar nga Kuvendit pas kërkesave nga mazhoranca dhe sipas Dogjanit kjo është përgjegjësi e Ramës.
Dogjani:Unë nuk mendoj që kryetarja e Kuvendit, i bën vetë sepse ajo është përgjegjësja kryesore, por ajo merr urdhra nga Rama.
Si mund të më ndaloja mua Garda që më ka votuar populli për të qenë aty. Kush duhet të përjashtohet? Duhet të përjashtohet e Edi Rama.
Shikoni pak se cfarë bënte opozita e dikurshme që tani është në pushtet.
Ata e marrin për dobësi këtë butësin tonë. Sepse të përjashtohesh se pse po i kërkon llogari dikujt që po të zë rrugën, duhet të forcojmë gjuhën tonë. Në seancën tjetër të paktën të na përjashtojnë tamam.
Pse mbaj unë një pankartë t’i më përjashton. Ajo nuk është pronë private.
Besim te “Kushtetuesja”
Pritet që përpos ndryshimit të rregullores së Kuvendit në “Kushtetuese” të shkojë dhe edhe ligji për Komisionet Hetimore.
Deputeti i PD shprehet se do të dëshironte që Gjykata të mbante një qëndrim profesional.
Dogjani: Po të shikosh historinë e Kuvendit, rregullorja e parlamentit dhe Reforma Zgjedhore është bërë me konsensus.
Rregullat nuk mund t’i bësh në mënyrë të njëanshme. Une do dëshiroja që Kushtetuesja të mbante një qëndrim profesional, sepse atje është fundi i drejtësisë.
Edhe për Komisionet Hetimore i është drejtuar Kushtetueses. Ka një vendim që Kushtetuesja i jep të drejtën opozitës për ngritjen e këtyre komisioneve si i vetmi instrument në dorën e opozitës.
Unë shpresoj që qeveria të reflektojë dhe të ulet për të diskutuar ligjin për ndryshimin e Komisioneve Hetimore.
Vota e Diasporës
Sa i përket mundësisë që në zgjedhjet e vitit 2025, te përfshihet edhe vota e Diasporës, Dogjani tha se mendon se Rama nuk do të lejojë që të ndodhë.
Dogjani: Unë nuk mendoj që Rama do ta lejojë që Diaspora të votojë dhe fakti që po sillet kështu me këtë komision, duke na mohuar bashkëkryetarin. Fakti që prej dy vitesh ky komision nuk funksionoi ne çuam Oerd Bylykbashin. Ne jemi dakord që edhe grupi i Bashës të ketë anëtarin e vet dhe të bashkohemi dhe të ecin në bazë të rekomandimeve të Kushtetueses.
Në duam që të hiqet herësi, votimi elektronik dhe diaspora.
Kemi një mazhorancë që nuk do të dijë as për vendimet e Kushtetueses. Ramës nuk i intereson kjo, sepse ai do t’i vendosë vetë emrat në listë dhe t’i ketë si ushtarë nesër.
Rikthimi i koalicioneve
Sa i takon mundësisë së rikthimit të koalicioneve, Asllan Dogjani tha se Rama nuk do ta lejojë as këtë, pasi e di që do rreshtohen të gjithë kundër tij.
Dogjani: Edhe kjo është një anë tjetër që kjo qeveri nuk e do Komisionin. E mbani mend në 2013 që mori Metën dhe fitoi zgjedhjet.
Rama e di që nëse lejohen koalicionet, do të rreshtohen të gjithë përballë tij. Sepse ka 12 vite dhe nuk ka më cfarë të prodhojë më.
Si do të ndikojmë ne, kjo do të varet nga qytetarët. Sa të gatshëm do të jenë për të protestuar dhe për të treguar që nuk janë dakord me këtë që po ndodh në vendin tonë.
Unë i bëj thirrje që ta largojnë frikën, ne përpara ato pas nesh dhe t’i tregojmë botës që kjo nuk është qeveria që duam. /Panorama Tv