Asim Haxhialushi “doktori” i traktorëve dhe autokombanjave

Nga: Refat Hoxha, Historian

…“DOKTORI” I TRAKTORËVE DHE AUTOKOMBAJNAVE
1. Në rrugëtimin e jetës sonë, fati e sjell të njohim njerëz nga më të ndryshmit. Shumica prej tyre harrohen në çast, të tjerë pak më vonë dhe vetëm disa mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë. Të tillë njerëz, ndonëse janë krejt të zakonshëm, bien në sy, dhe mbeten gjatë në kujtesë, jo nga veshja e tyre, jo nga arsimi që mund të kenë kryer, jo nga pozicioni zyrtar ku mund t’i kenë vendosur, por, thjesht, nga sjellja, nga komunikimi me të tjerët, nga qendrimi që mbajnë ndaj punës, familjes, kolegëve dhe shoqërisë.

Asim Haxhialushi gjithnjë më qe dukur një nga burrat më të hijshëm, që kam njohur. Këtë ai e rrezatonte në buzëqeshjen e përditshme, në ecjen medituese, në ëmbëlsinë e të folurit, në përshëndetjen me bashkëqytetarët në rrugë, me kolegët në vendin e punës, me kolektivin e ndërmarrjes, madje, edhe kur “përshëndeste” me sy e mend traktorët e autokombajnat “e sëmura”, që e prisnin t’i “shëronte”. Puna dhe vetëm puna i kish falur atij qetësinë shpirtërore, në punë dhe vetëm në punë ai kish gjetur lumturinë, paqen dhe harmoninë me vetvten.
Në këndvështrimin tim Asim Haxhialushi ishte i tillë, sepse ai e adhuronte punën, e kish bërë atë sinonimin e jetës së vet. Nuk punoi asnjëherë më pak se 16 orë, ditë e natë, në ara e kodra, nga një fshat në tjetrin, nga një traktor në tjetrin, nga një autokombajnë në tjetrën. Një jetë punë dhe vetëm punë, ditën nën rrezet përvëluese të diellit, natën nën shkëlqimin e zbehtë të hënës. Dhe, pasi ndreqte defektet mekanike dhe i vinte mjetet në punë, i këputur e i dërmuar, ulej në ugarin e hapur nga plugu i traktorëve, trupi i anohej nga lodhja dhe sytë i mbylleshin. Kushedi sa herë kish gdhirë duke patur jastëk plitharët e ugareve.

2.Asim Haxhialushi, i biri i Esat Haxhialushit dhe Nadire Prezës nga Tirana, lindi më 28 nëntor 1929 në një familje të pasur në lagjen Zguraj të qytetit. Ishte fëmija i parë dhe trashëgoi emrin e gjyshit të vet, Asim efendi Haxhialushit, që kishte studjuar teologji në Stamboll dhe për shumë vite kreu detyrën e kryemyftiut për besimtarët myslimanë në qarkun e Kavajës.
Esati ishte djali i vetëm i kryemyftiut, Fillimisht, kishte ndjekur studimet në Medresenë e Tiranës , por më pas ndoqi një shkollë dy vjeçare për ekonomi në Itali.
Asimi i ri, pasi kreu arsimin 7 vjeçar në vendlindje, u regjistrua në Politeknikumin “7 Nëntori”, në degën mekanike, ku ai gjeti pasionin e jetës së vet, dashuria e pafund për punën.

3. Kur ai ishte nxënës në Tiranë, familja e tij, ndonëse e kishte ndihmuar Luftën Antifashiste, madje në kushtet e terrorit fashist kishte strehuar për disa kohë familjen e Spiro Moisiut, asokohe Komandant i Ushtrisë Partizane, u godit ashpër nga pushteti komunist duke e shpronësuar si familje e pasur, madje, dy xhaxhallarë të tij u burgosën.

Dëshira e tij për të ndjekur studimet e larta mbeti, thjesht, një ëndërr. Me diplomën e “Politeknikumit” në çantë u kthye në vendlindje, u caktua të punonte në ndërmarrjen shtetërore “Stacioni i Makinave e Traktorëve “SMT’, krahas mekanikëve Selman Arapi, Demir Petja e disa të tjerëve. Këta ishin “pionierët” e SMT, të cilët krijuan stafin teknik të ndërmarrjes. Mekaniku i ri që vinte nga Politeknikumi ra në sy për njohuritë e tij profesionale, për sjelljen e admirueshme, fjalët e pakta dhe dashurinë e madhe për punën. Emri dhe aftësia e tij për riparimin e mjeteve motorike bujqësore e të tjera përmendeshin gjithnjë e më shumë.

4. Nuk kish mbushur as dy vjet punë, kur më 1951 u nis të kryente shërbimin ushtarak në Ersekën e ftohtë deri në vitin 1954. Menjëherë rinisi punën në SMT, e cila në këto vite qe fuqizuar në mjete motorike dhe fuqi punëtore. Për një periudhë të gjatë punoi brigadier i SMT në terren për fshatrat Kryevidh, Stërbeg, Spille,Kazie, Sharrdushk, Spanesh, Domën e Rreth Greth. Gjithnjë duke riparuar defektet e mjetet motorike, gjithnjë duke u konsultuar me specialistët e ofiçinës për të prodhuar pjesë të ndryshme këmbimi, gjithnjë me hekura në dorë dhe nuk ekzagjeroj aspak, gjithnjë duke e ngrënë bukën “në këmbë”. Herë mbi motoçikletën “Java”, herë me ndonjë mjet tjetër të rastit, herë në këmbë, ai gjithnjë në terren. Në mëngjes në Spille, në drekë në Stërbeg, në muzg në Kryevidh, kudo ku traktorët e autokombajnat pësonin defekte. Që atëhere të ggithë e thërrisnin “Usta Simi”. Duke qenë gjithnjë simboli i njeriut të mirë, burrë fjalëpak, punëtor i palodhur, qytetar i ndershëm, profesionist i klasit të parë e novator, ai fitoi vlerësimin e madh, si askush tjetër, “doktori” i traktorëve dhe autokombanjave”.

Një ditë e thirrën në drejtorinë e SMT. Ndodhej edhe dikush nga Komiteti i Qarkut”. Ky e përgëzoi për punën e palodhur, nuk i kurseu fjalët e mira dhe e njoftoi se partia dhe pushteti në qark dhe në Tiranë e vlerësonin punën e tij duke i dhënë titullin e lartë “Stakhanovist”. Titulli lidhej me emrin e minatorit Aleksei Stakhanov nga Donbasi i Ukrainës, i cili çdo ditë realizonte disa norma ditore në nxjerrjen e qymyrit, madje, një ditë kish realizuar 14 të tilla. Në fundjavë do të mblidhej kolektivi i SMT për ceremoninë që do të bëhej.
Ai nuk dha asnjë shenjë reagimi. S’e kishte dëgjuar ndonjëherë atё fjalë, madje, iu duk si fjalë e huaj.

Mekaniku novator Asim Haxhialushi, pas ceremonisë për dhënien e titullit, mori vesh se ajo nuk ishte tjetër, veçse një propagandë e ëmbëlsuar për njerëzit e punës, që më vonë do të zëvendësohej me titullin “Hero i Punës Socialiste”.
Ndërkohë, në vitin 1963, Asimi Haxhialushi u martua me Rahmie Krujën, e bija e patriotit dhe tregtarit Hysen Kruja. Patën 3 fëmijë, Astritin dhe dy vajzat, Aida dhe Albana, me detyre a të rëndëësishme, me arsim të lartë të kompletuar, ku Aida është pedagoge pranë UB Tiranë dhe lektore e përhershme pranë Universitetit National Polytechnik de Loren, Nancy, France..

5. “Usta Simi” ishte, vërtet, njeri i çuditshëm, i lidhur pazgjidhmërisht pas punës, madje, për jo pak të tjerë, mbase, ai dukej si njeri jashtë kohës. I biri, Astriti kujton:

..Kur isha 10 a 11 vjeç, më qe bërë zakon, ta prisja babain, kur kthehej nga puna, ndonëse ai gjithmonë vonohej. Një natë vere, ora kish kaluar dhjetën, nëna më tha të shkoja të flija. Jo, e kundërshtova, do pres babain. Unë me dy motrat Aidën dhe Albanën, sapo dëgjonim motoçikletën “Jaëa” dilnim me vrap në oborr. Gjyshi ynë Esati dhe nëna jonë Nadire, me sa duket edhe ata të merakosur, na thanë të shkonim bashkërisht tek SMT, e cila nuk ishte larg shtëpisë sonë
Kur arritëm tek porta e SMT, roja Shaban Gjoci, kur pa gjyshin vrapoi dhe hapi portën.
…Xha Esat, të gjithë kanë ikur, vetëm Simi yt është këtu. Ka hapur një autokombajnë për ta ndrequr. I kam thënë dy-tri herë ta lerë për nesër, po afron mesnata, por nuk më dëgjon,- tha ai dhe i thirri.

Ai, kur na pa të tre, erdhi me vrap, duke menduar se mund të na kishte ndodhur diçka në familje. Gjyshi i tha ta linte punën, ora po i afrohej 12-tës. Babai ynë i butë, i dashur, i ëmbël buzëqeshi, na përqafoi dhe tha të niseshim se për 10 minuta, sa të mbaronte atë që kishte në dorë, do të ishte në shtëpi. Baba, i tha gjyshit, nesër autokombajna duhet të jetë në fushë, jemi në kohë fushate.
Ne ikëm. Të nesërmen, mora vesh se babai kishte ardhur në shtëpi afër mëngjesit, pasi kishte ndrequr motorin e autokombanjës.

…Usta Simi ka qenë njeri i veçantë,- kujtonte shoku i tij i punës Eshref Gjylsheni, Një ditë, kur ishim tek bankoprova e traktorëve DT, dikush njoftoi se në fshatin Rreth-Greth dy traktorë ishin prishur dhe askush nuk po ia gjente defektin, Puna qe ndërprerë dhe ishte bërë problem i madh. Vështrova Ustain. Ai njeri nuk mërzitej kollaj, por atë çast e pashë, që u mërzit.
…Do të shkoj vetë atje, eja dhe ti,- i tha Jet Tafës, një punëtor i ri që e mbante gjithmonë pas vetes,
E kish dalluar menjëherë defektin, e kish ndrequr dhe puna nisi. Në atë çast aty u gjend kryetari i kooperativës Abdyl Cara dhe i kërkoi të shihte edhe një traktor tjetër, që nuk punonte, në Kryevidh.
Ustai kishte vajtur atje, kish punuar nja dy orë, e kish ndrequr dhe nga ora 23.00 qenë bërë gati të niseshin për në Kavajë. Kur po zbrisnin të tatëpjetën e fshatit, befas, Ustai kish ndalur motoçikletën dhe në heshtje diçka dëgjonte.
…Ai traktori në Stërbeg punon keq, gulçon si ai njeriu që është duke u mbytur, më duket se punon në tri fazë, do kthehemi ta shohim,- i thotë Jet Tafës.
…Usta, është vonë, e shohim nesër.
Ustai e kish parë vëngër:
…Nuk mban puna deri nesër, nëse ai vazhdon të punojë me sforca, do bëjë ndonjë dëm të madh, eja të shkojmë atje.
Kur arritën, Ustai i thirri traktoristit ta fikte traktorin, se motori po punonte shumë keq dhe nxirrte tym të zi. Kish hapur kofandrën dhe diçka kish ndrequr. E kish ndezur traktorin, i cili nisi të punojë lirshëm. Pas mesnate kishin arritur në Kavajë…

6. Nëse për Asim Haxhialushin do të shkruaja vetëm për aftësitë profesionale dhe pasionin e fuqishëm për punën, portreti i tij nuk do të ishte i plotë. Dhe ai do të mbetej një portret i mangët, nëse miku im Azis Kërçuku, ish-financieri në SMT, nuk do të më fliste për një pasion tjetër të Ustait, që ai e “shijonte” në heshtjen e vet.
Mbeta krejt i befasuar, kur ai më tha se fjalëpaku Asim Haxhialushi, herë-herë meditonte për asgjë tjetër, veçse për punën.
…Kur pinim kafe,- rrëfente Azisi,- disa herë usta Simi më thonte:
…Në çastet e lira, pas ndreqjes së një defekti, kur ulem të shlodhem, vështroj botën përrreth, njerëzit, tokën, pemishtet, ullishtat, ujëmbledhësit, taracat.

Azis, mos e kam gabim, nëse mendoj që ne jetojmë në një botë të bukur? Zoti e ka krijuar të tillë, njerëzit, puna e tyre e kanë zbukuruar edhe më shumë. Zoti gjithçka e ka krijuar të bukur, por njeriun e ka bërë më të bukurin, sepse e ka krijuar të ditur, të mençur, të sjellshëm, të fuqishëm, që e don punën. Nganjëherë, mendoj, sikur të gjithë njerëzit të ishin të tillë, kushedi sa i bukur do të ishte planeti ynë.

Njeriu,- vazhdonte ai,- zgjohet në mëngjes, bën atë që ka për të bërë dhe në darkë shkon në shtrat. Para gjumit rri e mendon. Nëse je në paqe me vetveten fle mirë, nëse jo, gjumi nuk vjen. Ky është problemi. Dhe, për ta zgjidhur atë, ka një rrugë shumë të thjeshtë, të jesh i pastër. I pastër në shpirt, në mendje, në ndërgjegje. Mirëpo, i tillë mund të jesh, nëse nuk ke bërë asgjë për të cilën të ndjehesh i turpëruar. Dhe ajo që të ruan nga çdo lloj turpi është puna, dashuria për punën…
Kur foli kështu edhe unë u habita. E vështrova me admirim atë burrë. Puna për atë njeri të palodhur ishte kuptimi i jetës. Ai e njëjtësonte njeriun me punën, i shihte ato si një tërësi e vetme, si dy anë të së njëjtës medalje. Ai nuk e përfytyronte dot njeriun pa punë dhe punën pa njeri.
…Si thua, Azis, nëse do të ishte kështu, a nuk do të jetonim në një botë më të bukur?

7. Filosofia e punës për Asim Haxhialushin kishte më shumë se një përmasë, ajo në këndvështrimin e tij ishte pa fillim e pa mbarim. Profesorët e tij në Politeknikum u mësonin nxënësve se qenia njerëzore përbëhet nga puna dhe fjala e mirë.

Kur ishte në Politeknikum, profesori i letërsisë u citonte shpesh thëniet e rilindasit të madh Sami Frashëri: “Fjala e keqdashësit është si qymyri, edhe kur nuk e djeg sendin që e prek, e nxin atë”, apo “Me zhurmë nuk kryhet asnjë punë, njeriu i punës është i heshtur”. Gjatë gjithë jetës ë tij Asim Haxhialushi i qendroi thënies “sa e lirë është fjala, aq e shtrenjtë është puna”.
Pas vitit 1970 atë e caktuan “kontrollor të cilësisë” të ndërmarrjes dhe drejtues teknik për të rinjtë që ndiqnin kurset e mekanikës.

…Nuk kam njohur një tjetër më punëtor, më të mirë e më të gjykueshëm si Usta Simi,- kujton Petrit Kollçaku. Kur punët nuk shkonin mirë, bëheshin mbledhje, kritika, jepeshin edhe masa ndëshkimore. Mbaj mend një rast, kur drejtoria e ndërmarrjes organizoi një mbledhje për të ndëshkuar dy tornitorë të ofiçinës, sepse nuk kishin përgatitur në kohë ca detale për autokombajnat, sepse ato ditë pritej udhëri për të nisur korrjen e grurit në kooperativën e Kryevidhit. Tornitorët u kritikuan ashpër, drejtoria propozoi “vërejtje e rëndë me paralajmërim për pushim nga puna dhe uljen në kategori”.

U krijua një gjendje e rëndë. Në këtë çast e mori fjalën Usta Simi. Të gjithë heshtën. Ai njeri shpirtmadh, me shumë mençuri, nuk i përmendi fare tornitorët, por foli për gjendjen e mjeteve motorike, sigurimin nga furnitorët e disa pjesëve të reja të këmbimit, ngritjen e dy pikave për furnizimin me karburant, bashkërendimin e punës me drejtuesit e kooperativave etj, pra, një plan pune i detajuar për realizimin me sukses të fushatës së korrjes dhe shirjes së grurit.
Fjala e tij i dha drejtim tjetër mbledhjes. Drejtoria e uli masën e propozimit për ndëshkimin e tornitorëve vetëm në “vërejtje”.

8.  Ai ishte, vërtet, i çuditshëm.Kurrë në jetën e tij nuk synoi të mirat materiale. Gjithnjë ndjehej i kënaqur, falenderonte Zotin, që familjen e kishte mirë me shëndet, lumturohej kur shihte traktorët që buçitnin, shlodhej kur shihte perëndimin e diellit në muzg, meditonte kur vështronte yjet e shndritshëm të natës, kënaqej me “orkestrinën” e zogjve këngëtarë, ndjehej mirë nga respekti dhe falenderimet e kolegëve të punës, nga buzëqeshjet e miqve, nga suksesi i fëmijëve në shkollë, nga përqafimet e familjarëve të vet.
Kudo që ndodhej e përshëndetnin me respekt: Mirëmëngjes, Usta Simi,…Faleminderit, Usta Simi,… Zoti të ruajtë, Usta Simi,…Po të presin dy traktoristët e Spillesë, Usta Simi,… Të kërkon drejtori, Usta Simi…

Kur njëherë ecte në trotuarin e Muzeut Historik në Tiranë, përballë tij vinte një grua e mbajtur. Kur u afrua pranë tij, ajo ndali dhe e përshëndeti me dashamirësi. Edhe ai e përshëndeti.
…Nëse nuk gaboj, a mos jeni Usta Simi, mekaniku i SMT së Kavajës?,- e pyeti ajo.
…Po,-u përgjigj ai, por më falni, nuk po ju njoh.
Gruaja buzëqeshi dhe i zgjati dorën:
…Unë jam Themie Thomai,- foli ajo.
Ai e pa me kujdes, diku e kish dëgjuar atë emër, por vetëm aq.

Dikur kam qenë Ministre e Bujqësisë, usta. Atëhere, të kam njohur.Ti ke qenë dhe do të mbetesh simbol i mekanikut duarartë. Ti ishe “doktori” i traktorëve dhe autokombajnave…
Duke u ndarë ajo e përshëndeti
…Ju uroj jetë të gjatë, Usta Simi.
…Një ditë do të vdesim,-i kish thënë një herë Aziz Kërçukut,- por çfarë do të lemë pas? Kujtesa jonë janë vetëm veprat tona të mira, pasuria jonë shpirtërore, respekti dhe dashuria për punën, falë së cilës gjithçka është kaq e bukur në këtë Botë.

Asim Haxhialushi ndërrroi jetë në Tiranë më 09 gusht 2015 në moshën 86 vjeçare. Ceremonia e tij mortore qe e përmasave jo të jashtëzakonshme.Qindra e qindra i dhanë lamtumirën e fundit njeriut-simbol të punës, njeriut fisnik, qytetarit të mirë e të përgjegjshëm Asim Haxhialushi, i cili prehet përjetësisht në Varrezat e Sharrës në Tiranë.

(Marrё nga libri i fundit “Njerёz, karaktere, mbresa”)