Arrestohet me urdhër të SPAK Jorgo Goro, në pranga edhe një person, arrest shtëpie për 3 të tjerë

Kryebashkiaku në detyrë i Himarës Jorgo Goro është arrestuar ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Në pranga raportohet se ka përfunduar edhe një person tjetër, ndërsa 3 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala.

Mësohet se arrestimi i Goros ka ardhur pas një kallëzimi nga ana e Fredi Belerit. Në pranga ka rënë Goro dhe Mihallaq Bonjaku.

Sakaq, raportohet se arrestimet lidhen me statusin e investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Punëve të Jashtme Olta Xhaçka. Sipas burimeve për BalkanWeb ndaj Goros rëndojnë dyshimet për shpërdorim detyre.

Nga ana tjetër Mihallaq Bonjaku, i cili pretendonte se i ishte vjedhur prona, ose më saktë një pjesë të pronës mbi të cilën Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Xhaçka, ishte shpallur investitor strategjik dhe kishte nisur ndërtimin e resortit luksoz. Ai tregon se prona e tij ishte rrethuar dhe nuk lejohej të hynte në të.

Kujtojmë se Goro mbeti në detyrë si kryebashkiak i Himarës edhe pse humbi zgjedhjet e 14 majit ndaj Fredi Belerit, i cili u dënua së fundmi për shitblerje votash./BW