Qytetarëve shqiptarë u është ulur vlerësimi për punën e bërë nga qeveria gjatë 6 muajve të fundit.
Këtë e vërteton një sondazh i kryer nga ‘Barometri’, të cilët kanë pyetur njerëzit për vlerësimin që kanë për punën e qeverisë aktualisht. Nga të dhënat e gjetjeve ka rezultuar se 39.7% e qytetarëve e vlerësojnë punën e bërë nga qeveria si negative, 34.3% kanë vlerësim pozitiv dhe 25.4% kanë qëndrim neutral.
Skandalet nga më të ndryshmet të personave të veshur me pushtet në vjedhje fondesh dhe lëshime tenderash të dyshimtë, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e keqvlerësimit për punën e qeverisë.
Vetëm në bashkinë Tiranë u arrestuan disa nga drejtorët më të rëndësishëm të institucionit, për abuzim me fondet publike në skemën e 5 drejtorëve. Ndër ta ishte Mariglen Qato ish-drejtor i Shërbimeve Mbështetëse pranë UKT-së në Tiranë, Redi Molla, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, si dhe Taulant Tusha i cili ishte i burgosur për vjedhjet e bëra nga inceneratori i Tiranës që nuk egziston.
E pavarësisht kësaj, kryeministri Edi Rama ka nisur fushatën e zgjedhjeve të vitit 2025 duke zhvilluar takime me shqiptarë të diasporës në Athinë e Milano, por që në të vërtetë me vete ka marrë dhe një pjesë të madhe të administratës duke nisur që nga kryetarët e bashkive dhe te drejtorët e institucioneve.