Për ish-ministrin e Financave, pastrimi i parave kriminale duket në çmimet e papërballueshme të pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe qytet e tjera të vendit.
Në një intervistë për gazetarin Xhensil Shkëmbi, Malaj komenton dhe zhvillimet ekonomike në vend. Sipas tij, marrja e borxheve nga qeveria është një gropë e zezë për ekonominë e vendit.
“Rasti me konkret është rritja e çmimeve e pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe qytet kryesore çka është një kosto shtesë për klasën e mesme. Me këtë rritje çmimesh të gjithë kategoritë janë të pamundura të përballojnë jetesën e shtrenjtë, dhe ne do shohim që kryeqendrat me kullat e mëdha do jenë shtëpitë e atyre që kanë vënë para kriminale e jo atyre që kanë vënë para nga puna e tyre”, thotë ai.
Malaj nuk e sheh si zhvillim pozitiv marrjen e borxheve të reja nga qeveria për të financuar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
“Jemi i vetmi vend që ministrat e financave në mënyrë periodike gëzojnë vetëm kur marrin borxhe, jo vetëm tani. Krizat kanë treguar që rritja e borxhit tek individët, tek familja, tek biznesi e tek shteti është rritje që prodhon krizë. Njerëzit me konservatorë, për marrjen e borxheve, për përgjegjësinë e marrjes së borxheve duhet të jenë ministrat e financës. Euforia e tyre dhe kënaqësia e tyre për rritjen e borxheve është gropë e zezë dhe barrë e rëndë për xhepat shqiptare”, shprehet ish-ministri.
Deklaratat optimiste kryeministrit për rritjen e ekonomisë së vendit, Malaj i cilëson si jo reale.
“Vetëm financimet euforike dhe lidershipet euforike rriten me shifra dyshifrore”, thotë ai.
Ish-ministri komenton dhe fenomenin e parave dixhitale që kanë nisur të përdoren në Shqipëri. Ai thotë se ky është një lloj investimi me rrezik.
“Besoj se është një risk shumë i lartë e se duhet të bëjnë shumë kujdes”, shprehet Malaj.