Kreu i SPAK, Arben Kraja i është përgjigjur edhe kritikave politike ndaj institucionit që ai drejton. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i pyetur nëse ai ndihet nën trysni pas deklaratave të Ramës, se po godet vetëm nga e majta, Kraja u shpreh se SPAK vepron në bazë të provave, ndërsa partitë- tha ai -flasin sipas interesit.
I pyetur se çfarë është duke bërë SPAK për Sali Berishën, i cili është shpallur non grata për korrupsion nga SHBA, Kraja tha se “Çështje penale SPAK ka shumë ne hetim dhe ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund dhe për ti vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale.”
Pjesë nga intervista
Pyetje: Në Shqipëri, ndaj një sërë figurash politike, ku më i larti është ish-Kryeministri Sali Berisha, janë vendosur sanksione për korrupsion domëthënës nga Shtetet e Bashkuara. Duket sikur në këtë aspekt perëndimi po bën më shumë se sa autoritetet shqiptare. Cila është përgjegjësia, në këtë rast, e SPAK-ut? Çfarë do të bëni ju pas këtij momenti, do të ketë një hetim mbi këtë çështje?
Arben Kraja: Problemi i korrupsionit në Shqipëri, por edhe në Ballkan është një problem shumë shqetësues. Është mungesa e ndëshkueshmërisë, mungesa e ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë që kanë qenë të përfshirë në elemente korrupsioni dhe si rezultat i këtij shqetësimi është bërë një reformë – është krijuar një strukturë e re, ka ndryshuar shumë ligje dhe kemi dy vite e gjysmë që punojmë, kryesisht për ngritjen e konsolidimin e strukturës dhe për arritjen e rezultateve konkrete. Pa diskutim që ne bashkëpunojmë me të gjitha strukturat të homologëve, qoftë edhe jashtë vendit për të luftuar këtë fenomen (korrupsionin). Ne kishim një takim me Kordinatorin Global kundër Korrupsionit i emëruar kohët e fundit nga Sekretari Blinken në Shtetet e Bashkuara. Shkëmbyem mendime në lidhje me nevojën për të rritur edhe më shumë luftën kundër korrupsionit. Pjesa e SPAK-ut pastaj pa diskutim është çështja e hetimeve të çështjeve penale. Çështje penale SPAK-u ka shumë nën hetim, prej atyre të bëra publike dhe që nuk janë bërë publike, sepse kështu është hetimi. Ne jemi të vendosur që për të gjitha rastet që kemi çështje penale nën hetim apo raste që përfshijnë zyrtarë të lartë, kushdo që të jenë ato, t’i shkojmë deri në fund për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe për t’i vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale.
Pyetje: Nga opozita ka kritika ndaj SPAK-ut, se nuk po veprohet ndaj politikanëve të lartë. Nga ana tjetër, kryeministri ka deklaruar se ju po godisni vetëm majtas. A e vë kjo institucionin që ju drejtoni, në një lloj trysnie politike?
Arben Kraja: Ne veprojmë bazuar në ligj gjithmonë. Opinioni publik ka të drejtën e tij të shprehet. Partitë politike po ashtu. Secili shprehet sipas interesit të tij. Ne nuk veprojmë mbi bazën e një liste të caktuar apo një radhe të caktuar. Ne veprojmë mbi bazën e provave, që administrohen nga hetimi, për ato dosje penale që ne i kemi. Kur arrihet të provohet fajësia e dikujt, marrim masa për t’i dërguar për gjykim. Kjo është puna jonë. Ajo që ne kemi rënë dakord si grup prokurorësh, përfshirë edhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të hetimit, është që të rrimë sa më larg këtyre opinioneve, që shprehen qoftë nga partitë politike, apo nga media të ndryshme, në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjë apo çfarë nuk duhet të bëjë SPAK-u. Secili prej prokurorëve ka dosjet e përpara. Është i pavarur të vendosë për to. Është i detyruar të mbledhë prova, të japë zgjidhje ligjore, dhe është e rëndësishme, që të jetë i pavarur dhe objektiv në vendimmarrje.