“Anëtarësimi në BE varet nga puna juaj”, Rama heq përgjegjësinë nga vetja e apel drejtësisë së re: Mos ja mohoni fëmijëve tuaj Evropën!

Në ambientet e Kryeministrisë u mbajt këtë të mërkurë ngritja e flamurit të Evropës, si shenjë simbolike për nisjesn e rrugëtimit evropian pas hapjes së negociatave.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama kërkoi nga drejtësia e re që të jap kontributin e saj në këtë rrugëtim dhe tu mos u mohojë gjeneratës së re të ardhmen evropiane duke hequr kështu përgjegjësinë nga vetja.

“Edhe ligji dhe drejtësia hyjnë në një shkallë të re vështirësie e duke i falënderuar për praninë e tyre si kontributorë të pazëvëndësueshëm në ndërtimin e kësaj rruge të atdheut drejt të ardhmes, dua tu them sot edhe përfaqësuesve të drejtësisë së re se shpejtësia e anëtarësimit të vendit të fëmijëve tanë në Bashkimin Europian do varet shumë edhe nga integriteti dhe nga puna e tyre.

Mos ua mohoni për asgjë në botë fëmijëve tuaj Shqipërinë europiane që meritojnë dhe jini të bindur se për sa kohë, të paktën unë do të jem këtu, shumica qeverisëse e Shqipërisë nuk do të bëhet kurrë mburoja e asnjë subjekti të punës suaj ashtu sikundër ju nuk do të ndiheni kurrë vetëm në luftën tuaj me korrupsionin dhe me krimin e organizuar.

Ngritja e flamurit të Bashkimit Europian në institucionet tona do të thotë ngritje pikërisht e kësaj lufte në një në nivel tjetër, ashtu sikundër do të thotë edhe ngritje e qeverisjes në një nivel të ri në çdo drejtim, por edhe ngritje e frymës kritike në tërësi në një shkallë të re”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri i kërkoi falje qytetarëve për gabimet e bëra dhe theksoi se ato janë bërë me pavetëdije dhe jo nga qëllimi për të përfituar në kurriz të të tjerëve.

“Thënë të gjitha këto, lejomëni ta mbyll duke thënë se jam tërësisht i vetëdijshëm se flamuri europian i ëndrrave dhe shpresave shqiptare të cilin do ta ngremë solemnisht, barrën më të madhe të detyrimeve e vendos padyshim mbi shumicën qeverisëse dhe posaçërisht mbi qeverinë që unë drejtoj.

Të gjithë kanë kusuret dhe të metat e tyre, por kusuret dhe të metat tona lidhen me të gjithë prandaj edhe më shumë sesa gjithë të tjerët ne mund të jemi edhe problemi, por edhe zgjidhja për të gjithë.

Na takon ne dhe vetëm ne të zgjedhim përditë të jemi zgjidhja, duke mos harruar asnjë ditë së përndryshe jemi ne qe mbetemi problemi.

Unë nuk do të isha këtu sot nëse nuk do ta kisha besuar qysh në ditën e parë të ngjitjes në të përpjetën e politikës, se Shqipëria bëhet, se ne shqiptarët e sotëm jo vetëm mund, por edhe duhet ta bëjmë Shqipërinë, sepse ndryshe nga tërë koha e pafundme e historisë sonë të dhimbshme, kjo kohë që na ra për hise të jetojmë mbi dheun tonë, përkon me një mundësi të artë që të gjitha gjeneratat përpara nesh nuk e patën, rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

Ky rrugëtim nuk ngjan me asgjë që shqiptarët kanë jetuar në shekuj  sepse si në asnjë rrugëtim tjetër më parë, ky i yni është një rrugëtim drejt lirisë, jo robërisë, drejt paqes dhe sigurisë për fëmijët tanë, jo drejt luftërave dhe pasigurisë për hesap të të tjerëve, drejt shtetit modern demokratik të shqiptarëve, jo drejt vasalitetit apo nënshtrimit ndaj perandorish dhe regjimesh që shqiptarët nuk mundën asnjëherë t’i zgjedhin por ua imponoi forca e dhunës mbi kokën e tyre.

Ky është rrugëtimi i parë i historisë sonë ku ne kemi mundësinë e artë të bëjmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë, falë transferimit masiv të dijes së shtetndërtimit demokratik që është thelbi i procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

I falenderoj sot me përulësinë më të thellë të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret, që me besimin e tyre më bënë një pjesë kaq të rëndësishme të këtij rrugëtimi. U kërkoj thellësisht ndjesë për gabimet e mia, ato që di apo që nuk di, duke i siguruar se asnjë prej tyre nuk është një gabim që buron prej qëllimit për të përfituar në kurriz të tjerëve dhe nga thellësia e shpirtit u them sot të gjithëve, se kurrë nuk kam qenë më i bindur dhe më i motivuar për të merituar besimin e tyre”, përfundoi kryeministri.