Ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Andi Lila ka reaguar nëpërmjet një postimi duke prekur edhe njëherë çështjen e terreneve sportive dhe të stadiumeve në Shqipëri. Lila ka cilësuar si turp se asnjë zyrtar i pushtetit vendor nuk del që të mbajë përgjegjësi.
POSTIMI I ANDI LILËS:
Nuk e di nëse duhej ta shkruaja si ish-futbollist, njeri i angazhuar në politikë apo si sindikalist
Si ish-futbollist sinqerisht ndihem keq.
Si njeri i angazhuar në politikë i turpëruar për atë që politika ka bërë për sportin në këto 30 vite.
Si sindikalist i demotivuar por i revoltuar.
Për të shmangur çdo keqkuptim vendosa ta shkruaj thjeshtë si Andi, një qytetar i Republikës së Shqipërisë.
Si qytetar i këtij vëndi ndjej dhimbje,përçmim që në vitin 2021 akoma gjendja e stadiumeve në Shqipëri është si në vendet më të varfëra në botë.
Në Shqipëri futbolli është sporti më masiv, dhe i vetmi vend argëtimi për qytetet e vogla.
Jo vetëm video e fundjavës në Përmet,e cila bëri xhiron e botës, por dhe kronikat e ndeshjeve të tjera treguan që stadiumet janë për turp e faqe të zezë.
Për turpin dhe faqen e tyre të zezë asnjë zyrtar i pushtetit vendor nuk del të mbajë përgjegjësi. Harrojnë se e kanë detyrim ligjor mirëmbajtjen e terreneve sportive.
Më vjen neveri nga mashtrimet elektorale në zgjedhjet të 25 prillit.
Sa herë që dalin nëpër intervista këto zotërinjtë, të gjithë në kor recitojnë të njëjtën frazë ( kemi berë 3-4 stadiume).
Të gjithë e dimë që janë bërë 4 stadiume,siç e dimë që kjo jo për meritën e politikanëve apo se ata i hanë meraku për futbollin.
Pa kembënguljen e FSHF-së dhe UEFA-s, politika nuk do të kishte të kishte lëvizur as qimen dhe jo të bënte stadiume.
Kjo mënyrë e politikbërjes për sportin është fiks si Shqipëria e këtyre viteve në drejtimin tuaj: FASADË.
Stadiumi i Përmetit duket si pishinë dhe nuk duket si ndeshje futbolli por si ndeshje Waterpoli.
Stadiumi i Kavajës vazhdojnë të kullosin delet. Kryetari i Bashkisë është zotuar që do ta bëjë në shtator, por ka harruar të thotë se në cilin vit!Qesharak
Stadiumi i Krujës, është cilësuar nga UEFA si stadiumi më piktoresk për shkak të pozicionit gjeografik.
Por për ta bërë akoma më piktoresk Bashkia ka lejuar që të kullosin kuajt. Bravo Bashkia !
Sociologu i njohur amerikan Rajan Anderson thotë se qeveritë e shteteve amerikane investojnë nëpër shkolla që basketbolli të jetë lëndë mësimore. Kjo jo se ka në plan të nxjerri basketbollistë por të edukojë nxenësit dhe të rinjtë. Sporti të mëson jetën në grup,të largon nga veset,të mëson çfarë është disiplina,si përballohet humbja,çfarë është kurajo,çfarë është sakrifica,si të përdorësh avantazhet e të manaxhosh disavantazhet.
A.L