Tregojnë një të histori në formë barcolete. Si gjithnjë në këto anë të Europës, barcoletat nuk janë larg të vërtetës.
Në periudhën para zgjedhjeve të vitit 2019, ato të cilat opozita i bojkotoi, një bos i madh nafte në Shqipëri vendosi të ndihmojë PD-në dhe logjistikën e saj duke i ofruar karburant falas për automjetet që udhëtonin çdo miting drejt Tiranës apo për lëvizjet e lidershipit në rrethe.
Ky bos nafte, për arsye të kuptueshme i afërt me partinë në pushtet, kishte frikë ama, ta ndihmonte hapur opozitën. Ai i druhej një “hakmarrjeje{ të Rilindjes. Ndaj vendosi të zbatojë një skemë për të mos lënë gjurmë. I tha një tjetër bosi më të vogël se ai, të furnizonte opozitën me gjithë karburantin e nevojshëm, dhe vetë ai do ta paguante ose do ta rimbursonte në një moment të dytë. Zgjedhjet u bënë, opozitës i doli revolucioni huq, se asgjë nuk ndodhi. Por, shteti, ai që e kap lepurin me qerre iu qep bosit të vogël të naftës duke ia nxirë jetën me metoda të ndryshme, deri me akuza penale. Sepse pushteti i Rilindjes nuk mund të tolerojë që partnerët e tij më të mirë, oligarkët, të ndihmojnë opozitën.
Nejse, bosi i madh “shpëtoi”, bosi i vogël ende nuk i ka mbyllur hallet me shtetin. Kjo është një histori që në Shqipëri përsëritet rëndom në dekadën e fundit. Oligarkët që janë partnerët më të mirë të kokës të “Rilindjes”, mbajnë marrëdhënie edhe me opozitën. Në një sistem kapitalist pa rregulla dhe të deformuar, mbajtja e njërës dorë në kek, dhe tjetrës në byrek, është një metodë jo thjesht mbijetese, por shumë fitimprurëse. Vijmë sot.
Një status në “Facebook” i Petro Koçit, një tekst i pafajshëm njëlloj si ‘selfie-t’ e tij, shërben për të kuptuar më mirë si shërben ky binom i përbashkët oligarkë-politikë, prej nga ku përfitojnë të dy palët, në kurriz të të gjithëve.
Pas protesës së mbrëmshme të opozitës, Petro Koçi shkruajti në “FB” mes të tjerash: Shpenzimet e protestës vërtetuan se oligarkët bëjnë lojë me shumë porta. (?!)
Do një diskutim më vete, fakti që një deputet i partisë në pushtet nuk merakoset pse vendi sundohet nga një oligarki, por sepse kjo oligarki “luan me shumë porta”, pra ushqen edhe opozitën dhe jo vetëm partinë në pushtet.
Po le të ndalemi pak, a ka të drejtë të ankohet dhe kujt i ankohet Petro Koçi.
Termi “oligarki” pra e një grupi të vogël njerëzish të lidhur me interesa që sundojnë vendin, është një term relativisht i ri. Në kohën e Fatos Nanos, kur Petro Koçi ishte ministër, oligarkët nuk ekzistonin. Sigurisht, kishte biznesmenë që kishin miq pushtetarë, të cilët tentonin t[i korruptionin me ryshfete, por kjo sjellje nuk ishte ngritur ende në sistem.
Gjatë qeverisjes së dytë të Sali Berishës, këta biznesmenë iu ngjitën qeveritarëve, u bënë të preferuarit e tyre, u rritën e u majmën me para publike. Aty u hodhën themelet e asaj oligarkie që gëzojmë sot.
Kur Edi Rama ishte në opozitë i anatemoi dhe u betua se do të merrej me ta sapo të vinte në pushtet. Ai premtoi se do ta zhbënte këtë sistem korruptiv politikë-biznes.
Por, e kundërta ndodhi.
Rilindjes i lezetoi ky flirt me bosët e rinj financiare, i mbajti gjithnjë e më afër vetes deri në pikën që sot, nuk e kuptojmë ku mbaron qeveria e ku fillon oligarkia financiare.
Edi Rama veproi si Viktor Frankenshtajn i Mary Shelley-t duke i ushqyer këta biznesmenë të mëdhenj edhe më shumë me formulat e tij magjike si PPP-të dhe “investitorët strategjikë”.
Eksperimenti i Ramës prodhoi një “monstër” të pakontrolluar, që sot rrezikon të hajë vetë PS-në.
Ky monstër kafshimin e parë e dha duke luajtur “me shumë porta”, siç vëren me të drejtë Petro Koçi.
Zgjedhjet lokale të pranverës 2023 janë afër dhe ky “përbindësh strategjik” do të bëjë atë që ka bërë gjithmonë: do të sponsorizojë njësoj, edhe shumicën, edhe opozitën. Pas zgjedhjeve, cilido qoftë fituesi politik, do të vrapojë pas “përbindëshit” duke e majmur ende më shumë, në shenjë falenderimi për mbështetjen e gjithanshme.
Edi Rama e rriti dhe e krijoi këtë krijesë me shpresën se do ta bënte të hante kundërshtarët e vet. Por, “përbindëshi” është tashmë jashtë kontrollit. Ai ka shumë para, mund të blejë gjithçka, deri edhe drejtësinë.
Kur Edi Rama të kuptojë se gaboi që perfeksionoi formulat e pandershme të paraardhësit e tij, do të jetë shumë vonë. Me gjasë, fundi do t’i vijë prej krijesave të veta. Ndaj, do të jetë edhe më i dhimbshëm.