Kryeministri Edi Rama deklaroi se 10,750 dozat e para të vaksinës do të mbërrijnë në Shqipëri brenda janarit si pjesë e blerjes së 500 mijë dozave nga kompania Pfizer.
“Kemi dakordësuar marrjen e vaksinës nga kompania Pfizer. Kemi dakordësuar blerjen e 500 mijë vaksinave,” deklaroi Rama.
Vaksina e kompanisë Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim nga Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Europian ndërsa së fundmi u miratua edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Rama nuk bëri të ditur se me çfarë kushtesh është arritur blerja e vaksinave. Aksesi në vaksina është bërë çështje me rëndësi politike për shkak se Shqipëria ka hyrë në fushatë elektorale.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi pas njoftimit të Ramës se sipas mendimit të tij, vaksina do të mbërrijë në Shqipëri shumë vonë dhe në sasi jo të mjaftueshme.
Bota është në garë për të vaksinuar popullsinë kundër koronavirusit të ri, i cili ka sëmurë mbi 83 milionë njerëz dhe ka shkaktuar 1.5 milionë vdekje deri më sot. Vaksinimi pritet gjithsesi të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë. Dy kompanitë që po prodhojnë vaksinat kanë në plan të prodhojnë 1.2 miliardë doza deri në fund të këtij viti ndërsa bota ka nevojë edhe për disa miliarda doza të tjera për të siguruar imunitetin e tufës, pikën kur pjesa më e madhe e njerëzve janë imunë ndaj virusit dhe rrjedhimisht virusi pushon së qarkulluari.
Në kushtet e Shqipërisë kjo nënkupton që vendit i nevojiten së paku 2 milionë apo më shumë doza për të arritur imunitetin e tufës, gjë që nënkupton rikthimin e jetës në normalitet.
Pasja e vaksinës duket se nuk mjafton në vetvete. Vaksinat aktualisht në përdorim kërkojnë kushte shumë të rrepta transporti dhe përdorimi, të tilla që e bëjnë të vështirë procesin.
Në Shtetet e Bashkuara, ku vaksinat janë të disponueshme, autoritetet po theksojnë se popullsia do të duhet të vijojë të respektojë rregullat e distancimit social edhe për shumë muaj dhe se një farë normaliteti mundet të mbërrijë nga vjeshta e këtij viti./BIRN