Për herë të disatë në dekadën e fundit, kryeministri Edi Rama po përpiqet të krijojë një eufori publike mbi një zbulim të madh, i cili, pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta të tij, dështon të na shfaqet. Pak ditë më parë, Rama përsëriti edhe një herë atë që kishte thënë edhe në korrik të vitit të kaluar dhe në raste të tjera, se në Shpirag do të prodhohet naftë dhe se ky zbulim do t’i bëjë shqiptarët, sipas fjalëve të tij, aq të pasur, sa të mund të krijojnë një fond rezervë për brezat e ardhshëm, përveç përdorimit të një pjese të këtyre parave për të zgjidhur krizën e pensioneve.
Në mënyrë jo shumë bindëse, ai madje shkoi në vendin ku kompania Shell po shpon, duke e deklaruar vizitën “inspektim”, ndonëse nuk kuptohet se mbi çfarë kompetencash, kryeministri po e kryente këtë “inspektim”. Sipas ministres Balluku, “nga momenti që kemi nisur punën për ngritjen e një fondi sovran do të thotë që nuk janë të ardhura 500 mln euro në vit të cilat shkojnë direkt në buxhetin e shtetit për të mbuluar nevojat por flitet për të ardhurat shumë më të larta që nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit por nga fondi sovran siç ka ndodhur me naftën në Norvegji, Arabi Saudite, Azerbajxhan.” Ndonëse autori i këtyre radhëve nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë konkretisht po thotë ministrja në këtë fjali, më duhet ta interpretoj me sugjerimin që qeveria pret 500 milionë euro të ardhura në vit për t’i futur në buxhetin e shtetit dhe “shumë më të larta” se sa kaq për t’i vënë në fond sovran. Pra, le të supozojmë se bëhet fjalë, përvec 500 milionëve për buxhetin e shtetit, edhe për 1 miliardë apo 2 miliardë të tjera për fondin sovran. Dhe duke lënë mënjanë faktin që në këtë rast, peshku nuk nuk është tamam në det, por në thellësinë e tokës, na duhet të themi se edhe 2 miliardë euro në vit nga zbulimi i naftës nuk është diçka që e bën Shqipërinë vend të zhvilluar, madje as nuk e afron me nivelin ekonomik të Bullgarisë apo Rumanisë, vendeve ne nivelin më të ulët ekonomik mes vendeve anëtare të BE-së.
Prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë këtë vit pritet të arrijë në 2.19 trilionë lekë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo është një shifër e barabartë me 19.9 miliardë euro, sipas kursit aktual të këmbimit. Nëse Shpiragu bën mrekullinë e paralajmëruar nga Rama dhe Balluku, të 2 miliardët që po supozojmë se do të vijnë, do ta shtojnë PBB-në e Shqipërisë me 10 për qind. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë do të rritet në këtë mënyrë, nga 766 mijë lekë që pritet të jetë këtë vit, në 842 mijë lekë ose 7,660 euro. Ndërkohë, Bullgaria ka PBB për frymë në nivelin 14 mijë euro, Rumania 17 mijë apo Hungaria, 18 mijë. Të 2 miliardët të ardhurat shtesë nga nafta, nuk do ta bëjnë Shqipërinë të pasur as sa Serbia, qytetarët e së cilës i gëzohen PBB-së për frymë në masën 10 mijë euro në vit. Me një fjalë, që Shqipëria të arrijë nivelin ekonomik të Serbisë, do t’i duhet të zbulojë tre apo katër shpiragë, ndërsa për të arritur nivelin e Rumanisë, do t’i duhet të zbulojë dhjetë apo pesëmbëdhjetë të tillë. Aq më pak nuk ka shans që mrekulli të tilla të na bëjnë të pasur si Bashkimi Evropian, PBB për frymë e së cilës është aktualisht 45 mijë euro në vit.
Nga ana tjetër, ndonëse Shpiragu nuk na mjafton për të arritur nivelin ekonomik të vendeve më të varfra të BE-së, ka një rrugë që, brenda pak dekadash, të na bëjë qytetarë evropianë, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht.
Potenciali i rritjes ekonomike të Shqipërisë në terma realë vlerësohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në masën 4.5% në vit ndërsa në terma nominalë, në 7.5% në vit. Kjo do të thotë që, përmes mirëqeverisjes, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë të rritet, nga 19.9 miliardë euro që është aktualisht, në 21.4 miliardë euro në vitin e parë, në 23 miliardë në vitin e dytë, në 24.7 miliardë në vitin e tretë, e me radhë. Me pak fjalë, rritja ekonomike potenciale, e cila mund të realizohet, sipas vlerësimit të FMN-së, i jep shqiptarëve më shumë të ardhura shtesë çdo vit, nga sa mund të japë edhe ndonjë zbulim i madh nafte apo gazi.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e vlerëson potencialin e rritjes ekonomike duke përdorur ushtrimet ekonomike më të specializuara të mundshme. Potenciali nënkupton prodhimin që mund të realizohet me eficiencë maksimale. Me pak fjalë, nëse ke qeverisjen e duhur, ekonomia shqiptare mund të rritet me këtë ritëm. Por në rast se ke qeverisje të keqe, atëhere rritja ekonomike është, ose më e ulët se kaq, ose më e lartë se kaq. Kur është më e ulët, do të thotë se keqqeverisja po ia merr frymën ekonomisë përmes korrupsionit, përmes pengesave burrokratike të panevojshme apo përmes politikave të gabuara. Kur rritja është më e lartë se sa potenciali, atëhere ka gjasë që ajo po ushqehet nga rritja spekulative e borxhit dhe sërish, është keq sepse pasohet nga krizë pas një periudhe të caktuar.
Shqipëria ka përjetuar në fakt keqqeverisje të të dyja formave. Në vitet 2006-2008, qeveria rriti borxhet dhe i bëri beton para se të binte në krizë ndërsa pas vitit 2013, qeveria, jo vetëm që ka rritur borxhet, por shpenzimet e saj kanë qenë aq inefikase sa prodhimi i brendshëm bruto është rritur tejet ngadalë. Sipas të dhënave të FMN-së, rritja ekonomike nominale e Shqipërisë mes viteve 2014 dhe 2023 ka qenë 5%. Kjo është 2.5 për qind më pak në vit. Por nëse marrim parasysh se rritja është progresive, atëhere duhet të themi se, nëse qeverisja do të kishte realizuar rritjen ekonomike potenciale, atëhere PBB e Shqipërisë do të ishte sot disa shpiragë më shumë se sa është.
Po jap një shembull të shkurtër se pse keqqeverisja apo korrupsioni i hapur janë çfarë pengojnë Shqipërinë të zbulojë shpiragë në mënyrën që i ka zbuluar bota e zhvilluar, pra përmes punës dhe mirëqeverisjes.
Një segment rrugor 42 kilometra i gjatë që lidh qytezën e Ersekës me atë të Leskovikut në Shqipërinë e jugut është aktualisht duke u asfaltuar. Projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i prokuruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, [link], parashikon zgjerimin e rrugës aktuale me një metër për ta bërë me pesë metra gjerësi, sistemimin e ujërave sipërfaqësore përmes kanalit të drenazhimit përgjatë të gjithë gjatësisë së rrugës, rindërtimin e shtresave në rast se ato janë dëmtuar, asfaltimin dhe sinjalistikën, e gjitha për pak më shumë se 5 milionë euro. Me një kosto prej 125 mijë eurosh për kilometër, banorët e zonës dhe turistët që pëlqejnë peisazhet e mrekullueshme të asaj ane të Shqipërisë, do të mund të shijojnë udhëtim me shpejtësi normale.
Por historia ka një anë tjetër, anën e një segmenti rrugor që lidh Qafën e Qarrit me qytetin e Ersekës, të cilën e ka prokuruar qeveria shqiptare. Këtu, qeveria ka vendosur të ndërtojë një rrugë të re, me një kosto prej rreth 40 milioë eurosh. Nëse qeveria do të kishte ndjekur standardet e Bashkimit Evropian, rruga do të kishte kushtuar 5 milionë euro dhe qeverisë do t’i mbeteshin edhe 35 milionë të tjera për të ndërtuar apo rikonstruktuar edhe 300 kilometra të tjera rrugë të ngjashme, në një vend ku shumë fshatra vijojnë të jenë pa lidhje me rrugë të asfaltuara. Por problemi nuk mbaron këtu. Duke hedhur miliona euro në mënyrë të tillë joefikase, qeveria i heq shqiptarëve një copë nga rritja ekonomike potenciale, duke i lënë ata të varfër edhe nëse shansi u jep naftë në Shpirag./Reporter.al