Ambasadorja Yuri Kim takohet me Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj. Çfarë u diskutua

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim është takuar sot me Presidentin e zgjedhur të Shqipërisë, Bajram Begaj. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ambasada amerikane në vendin tonë, e cila thotë se takimi është zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Pasi e uroi për zgjedhjen në krye të Shtetit shqiptar, diplomatja e lartë amerikane përsëriti qëndrimin se “Shtetet e Bashkuara presin me padurim të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me të në detyrën e tij të re”.

Po ashtu, ambasadorja Kim e falënderoi Begajn për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si Shef i Shtabit, veçanërisht gjatë stërvitjes ushtarake Defender Europe 2021.

“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua sot me Presidentin e zgjedhur Bajram Begaj në Pallatin Presidencial (Pallati i Brigadave) në Tiranë. Ajo e uroi atë për zgjedhjen e tij si President i ardhshëm i Shqipërisë dhe përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin me padurim të vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me të në detyrën e tij të re. Ambasadorja Kim e falënderoi atë për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si Shef i Shtabit, veçanërisht gjatë stërvitjes ushtarake Defender Europe 2021 dhe vuri në dukje se ajo pret shumë takime të tjera me Presidentin e zgjedhur Begaj gjatë presidencës së tij të ardhshme”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

TAKIMI ME ISH PRESIDENTET

Kujtojmë që Presidenti i zgjedhur Begaj është takuar fillimisht me paraardhësit e tij, ish-krerët e shtetit, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi.

Begaj i cilëson Moisiun, Mejdanin dhe Topin si këshilltarë për të cilët ka nder për t’i pasur afër në mënyrë që sipas tij të gabojë sa më pak kur të marrë zyrtarisht funksionet. “Unë dëshiroj që kështu, së bashku, të kuvendojmë vëllazërisht për punët dhe sfidat e atdheut tonë. Koha kalon shpejt, askush nuk është i përjetshëm dhe asnjë detyrë shtetërore nuk është e pafundme.

Por mësimet e vyera të atyre që kanë kaluar më parë nga rruga jonë duhen mbajtur parasysh sa më mirë dhe kur ke fatin që t’i kesh pranë ata, atëherë mund të gabosh më pak. Është një nder i madh për mua që të kem këshilltarë të tillë”, mësohet të jetë shprehur z. Begaj në takimin me paraardhësit e tij.

Para pak ditësh, Begaj pati një takim me ish-Presidentin Alfred Moisiu, i cili i dhuroi Presidentit të zgjedhur edhe librin e tij “Midis Nanos dhe Berishës”. Begaj e vlerësoi Moisiun, si një burrë të urtë e patriot, i cili tashmë i përket historisë së vendit si President i të gjithëve. Moisiu zbardhi detaje për gazetën “Panorama” rreth asaj që u bisedua mes ish-presidentëve dhe pasardhësit Bajram Begaj.

TAKIMI ME PRESIDENTIN NE DETYRE, ILIR META

Kreu i shtetit në detyrë, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e premte, 10 qershor një takim me Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj.

Ilir Meta postoi në rrjetin social Facebook fotot nga takimi dhe mesazhin ku shkruan: “kënaqësi të prisja sot Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj dhe t’i uroja sërish suksese në detyrën e lartë, që e pret në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve”.