Alqi Ballko mbërrin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, SPAK kërkon rikthimin në burg për ish-deputetin e PS

Ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako, i akuzuar për aferën e inceneratorëve ka mbërritur mëngjesin e sotëm në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Rreth një muaj më parë Gjykata e Posaçme vendosi ta dërgojë në arrest shtëpie ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa SPAK thotë se “nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar”.

Sipas avokatit të Bllakos, Sokol Hazizaj, kërkesa e lirimit nga qelia u bazua mbi faktin se klienti i tij është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët “kanë nevojë për kujdesin e tij”.

Vendimi u kundërshtua nga Prokuroria e Posaçme SPAK, e cila e konsideroi të pamjaftueshëm shkakun e ngritur për lirimin e Bllakos nga qelia.

Alqi Bllako u vetëdorëzua në polici më 1 prill të këtij viti, pasi Gjykata e Posaçme caktoi më parë masën e “arrestit me burg” pas hetimit për kontratën koncesionare të Fierit me një vlerë të përllogaritur në 28 milionë euro.

SPAK e akuzon Bllakon se ka marrë përfitime të paligjshme nga kompanitë koncensionare të ndërtimit të inceneratorëve, ndërsa ka favorizuar këto kompani gjatë kohës që ushtronte detyrat shtetërore si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas në funksionin e “Autoritetit Kontraktues”, si drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Së bashku me Bllakon, SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj 9 zyrtarëve të tjerë të lidhur me procedurat e koncesionit për inceneratorin e Fierit, përfshi edhe ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka i cili gjendet në burg që prej dhjetorit 2021.