Kompania shtetërore “Albpterol”, që është rekord krimesh ekonomiko-financiare me korrupsion, vjedhje e shkatërrim të qëllimshëm të vendburimeve të naftës, vazhdon tenderët fiktiv që pasqyrohen në letra e shpenzime shërbimi, por nuk zbatohen në terren.
Një tender të tillë, drejtori i “Albpetrol”, Eltar Deda e ka sajuar dhe shpallur më 14 gusht, dy javë para kthimit nga pushimet verore, për ta zhvilluar më 29 gusht.
Tenderi është me vlerë 152 milionë lekë me TVSH, me objekt kontrate “Shërbim për monitorimin e mjedisit në “Albpetrol” për një periudhë 1-vjeçare”.
Pra, shefat e “Albtperol” që nuk pastrojnë as zonat e puseve dhe lënë mbetjet hidrokarbure e krijojnë rezervuarë kancerogjenë në qendrat e banuara të Fierit, Patosit, Mallakastrës, Roskovecit, Kuçovës e Vlorës, paskan merak të monitorojnë mjedisin, për të cilin raportojnë 1.6 milionë USD shpenzime çdo vit, sikur gjoja i harxhojnë për pastrimin e mbetjeve.
Sipas detyrimeve që ka “Albpetrol”, ky tender është skemë për vjedhje, mbasi kjo kompani shtetërore, nuk ka detyrë e tagër të merret me monitorimin e mjedisit, mirëpo e bëjnë prej 3 vitesh duke plotësuar letra false.
Sepse detyrën e monitorimit mjedisor në entet publike, e kanë vetëm sektori qendror përkatës i Institutit të Shëndetit Publik dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, të cilët çdo vit harxhojnë nga 300-350 milionë lekë për matjet në qendrat e banuara ku janë sektorët e “Albpetrol”.