Reshjet e shtuara të shiut kanë krijuar ditën e sotme një situatë të rënduar në të gjithë vendin, por zona më e prekur është ajo e qarkut të Shkodrës.
Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Bardhyl Sytari, ka reaguar në lidhje me situatën, duke thënë se përmbytjet i kujtojnë ato të vitit 2010 ku banorët mbetën të izoluar për disa ditë.
Myftiu i Shkodrës bëri me dije se Xhamia e Plumbit është përmbytur, ndërsa u bëri thirrje institucioneve ta shohin me përgjegjësi këtë zonë, pasi sipas tij nëse kryhen ndërhyrjet e nevojshme, është plotësisht e mundur që këto situata të shmangen.
“Kjo është pamja e frikshme e përmbytjes që ka ndodhur në këto 24 orët e fundit në Xhaminë e Plumbit. Por nuk është çështje thjesht te përmbytja e Xhamisë. Është problematike situata për njerëzit dhe këto pamje më kujtojmë përmbytjet e vitit 2010, ku vinim me mjete të larta dhe nuk mund të lëvizej në këto zona dhe njerëzit ishin të izoluar dhe nuk kishin bukë e ujë për disa ditë. Uroj që të mos përsëritet ajo situatë. Por pamja më duket e tillë, më kujton atë periudhë disaditore vuajtjesh për qytetarët. Edhe pse jemi në 2022 nuk u zgjidh akoma problemi i përmbytjes së tokave të tyre. Ky është një alarm për institucionet që duhet ta shohin me përgjegjësi këtë punë. Sepse është plotësisht e mundur për t’u evituar këtë përmbytje, për t’u pastruar Buna, për t’u thelluar Buna, për t’u rregulluar argjinaturat e Drinit”, u shpreh myftiu i Shkodrës.