Akuzohet për korrupsion zgjedhor/ Kryebashkiaku i Rrogozhinës përfundon në SPAK, ja përgjimi që e solli para drejtësisë

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla është parë në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai ishte i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa mësohet se ai është paraqitur në SPAK i akuzuar për korrupsion zgjedhor.

Memolla është përgjuar para zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022, teksa paguante faturat e energjisë elektrike të një qytetareje në këmbim të votave.

 

Elektriçistët kishin shkuar në shtëpinë e një zonje për të prerë dritat pasi ajo kishte disa muaj pa paguar dhe kjo e fundit i ka kërkuar ndihmë kryebashkiakut Memolla.

 

Gjatë bisedës telefonike kryebashkiaku i ka kërkuar të bisedojë me elektricistin të cilin e porositi të mos ia presë dritat sa të kalojë edhe muaji i zgjedhjeve.

Madje Memolla është shprehur i gatshëm ta paguajë ai faturën e muajit, por pasi elektricisti i ka thënë se zonja kishte 5 muaj pa paguar, kryebashkiaku ka thënë se do të komunikojë me shefin e tij.