Aktivitetet e ndaluara 4 muaj para zgjedhjeve, zbardhet debati me dyer të mbyllura në KQZ! PD depoziton draft të ri, ndërsa PS kërkon që të…


Pas 10 akteve të miratuara me unanimitet të plotë, Komisioni Rregullator në KQZ duket se do të prishë traditën në miratimin e projekt-aktit për veprimtaritë publike të lejuara dhe të ndaluara për qeverinë 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare.

Anëtarët e Komisionit Rregullator kanë shqyrtuar dy drafte të projekt-aktit, një i përgatitur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe një i depozituar nga PD-ja. Për të shmangur pabarazinë në fushatë para zgjedhjeve, KQZ-ja ka përgatitur veprimtaritë që u ndalohen figurave politike në qeveri, si Kryeministrit, zëvendësit të tij, ministrave dhe zëvendësve apo drejtorëve të rëndësishëm.

“Kryeministrit apo ministrit i ndalohet promovimi i projekteve dhe/ose te investimeve, me interes apo shtrirje territoriale kombetare ose vendore ne fushen e transporteve te c’do lloji, te energjetikes, te telekomunikacionit, te veprave ujore te c’do lloji, ne sherbim dhe interes te publikut.

Nuk do të lejohet gjithashtu edhe promovimi nga ana e ministrit përkatës, Kryeministrit apo drejtorëve të sipërpërmendur, promovimin e projekteve dhe/ose te investimeve, kombëtare ose vendore, ne funksion te ruajtjes se mjedisit, te shëndetit, të kultures dhe të arsimit publik, si dhe te infrastruktures, ne sherbim e interes te publikut”, thuhet në draftin e KQZ-së.

PROPOZIMI I RI

Por gazeta “Panorama.al” mësoi se PD-ja ka depozituar një tjetër draft ku shton listën e aktiviteteve që i ndalohen qeverisë. Në draftin e saj opozita kërkon, ndër të tjera, që qeverisë t’i ndalohet e drejta për nxjerrjen e akteve për të falur gjoba apo detyrime tatimore e doganore. “Të ndalohen faljet e kamatëvonesave, të gjobave, të detyrimeve tatimore e doganore; ndalimin e dhënies me koncesion, PPP dhe të çdo kontrate tjetër publike; ndalimin e privatizimeve dhe tjetërsimeve të çdo lloj prone, aseti shtetëror e publik”, kërkon opozita që t’i heqë nga duart qeverisë.

KUNDËRSHTIMI

Por nga ana tjetër, maxhoranca nuk është dakord me nenin tre të projekt-aktit të hartuar nga Komisioneri dhe aq më shumë nga PD-ja. Burime për gazetën “Panorama” bënë me dije se në mbledhjen me dyer të mbyllura që ka zhvilluar Komisioni Rregullator për të dakordësuar paraprakisht draftin që do të votohet nesër, përfaqësuesit e propozuar nga maxhoranca në Komisioni Rregullator kanë kërkuar që pothuajse të gjitha aktivitetet që përmenden në nenin tre të projekt-aktit si të ndaluar, të mos ndalohen.

Mësohet se ata propozojnë që qeveria të zhvilloje aktivitete të tilla, por të ndalohet mesazhi elektoral. Kush thyen rregulloren, propozojnë anëtarët e propozuar nga maxhoranca, të gjobitet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas burimeve, në mbledhjen e Komisionit Rregullator maxhoranca pretendon se duke i ndaluar aktivitetet që përmenden në nenin 3 të projekt-aktit, bllokohet edhe aktiviteti i qeverisë. Megjithatë diskutimet kanë vijuar me intensitet deri në orët e vona të ditës së hënë, pasi sot pasdite Komisioni Rregullator mblidhet për ta miratuar dhe për të kaluar këtë akt duhen të paktën 4 vota pro nga 5 anëtarë që ka Komisioni Rregullator.

projekt akt