KELMENT BAÇI/ Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se tenderët në vend fitohen me 99.9 për qind të fondit limit, pasi aty brenda përfshihen edhe ryshfeti prej 30 përqindësh që marrin anëtarët e kabinetit apo vetë Kryeministri Edi Rama.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha sulmoi me tone të ashpra aktin ligjor të propozuar nga qeveria për kompensimin e rritjes së çmimeve për produktet e kompanive që kryejnë punë publike. Ish-Kryeministri risolli në vëmendje tenderin e marrë nga kompania Salillari për mirëmbajtjen e rrugëve të Jugut, si dhe tenderin për rrugët e Korçës të fituar nga kompania e vëllait të shefit të Gardës, të dyja të fituara me 99 për qind të fondit limit.
“Në vend që të kthejë sytë drejt qytetarëve dhe njerëzve në nevojë, vjen këtu me qëllimin e vetëm që qeveritarët dhe oligarkët të ndajnë dhe vjedhin përsëri fonde të tjera. Si mund të vidhni sot qytetarët në një kohë kur paguajnë vezën, paguajnë djathin, paguajnë qumështin e foshnjës më shtrenjtë se gjermani, se francezi, se italiani? Edhe kjo për shkak të politikave tuaja çnjerëzore.
Pse them që është një vjedhje e hapur? Ka prej shumë kohësh që tani tenderët fitohen gjithmonë me 99.9 për qind të fondit limit. Kam kohë që hetoj dhe çfarë me rezulton, 99.9 për qind e fondit limit që nuk ndodhte kurrë më parë, është paratë që fituesi i tenderit duhet t’i paguajë zyrtarit dhe qeveritarit. ‘Do ta jap me 99.9 për qind tenderin, por do të më japësh 30 për qind të shumës’. Kohët e fundit janë 330 milionë tenderime me 99.9 për qind.
A e dini që ndërtuesi i vilës në pajë i Edi Ramës fitoi tenderin me 13 milionë euro me 99,9 për qind, Artan Sako, është vëllai i komandantit të gardës dhe mori tenderin e mirëmbajtjes së rrugës së Korçës. Ai është tamam brendi i hajdutit. Ndërtoi pallatin pa asnjë leje dhe shpërblehet me tender 99.9 për qind. Po s’është vetëm ky. Po Salillari që nuk di ku t’i çojë paratë, i merr tenderët me 99.9%, paçka se shembi rrugën e Borshit. Pavarësisht se rruga e ndërtuar prej tij Berat-Çorovodë është copë-copë. S’ka rëndësi se me 99% dalin paratë. Po si nuk vjen dekret për ata që nuk blejnë dot qumështin, për pensionistin, për fermerin që po falimenton çdo ditë e më shumë”, tha Berisha në Kuvend.
99,9 PËR QIND e fondit limit është shuma që sot paguhet për tenderët, sipas ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh se: “Kam kohë që hetoj dhe çfarë më rezulton, është paratë që fituesi i tenderit duhet t’i paguajë zyrtarit dhe qeveritarit. ‘Do ta jap me 99.9 për qind tenderin, por do të më japësh 30 për qind të shumës’.
DUMA: SHQETËSOHENI NËSE I MARRIN SALILLARI DHE GJOKA 60 MILIARDË
Deputetja demokrate Grida Duma kritikoi sot në Kuvend deputetët socialistë që bëhen palë në komisione për çështje që kanë të bëjnë me interesat e disa oligarkëve në vend. Duma u shpreh se sot janë 10 kompani që e kanë të sigurt tregun duke përmendur këtu Salillarin dhe Gjokën, ndërsa shtoi se deputetët shqetësohen për tenderët e tyre, duke lënë pas dore interesat e qytetarëve.
“E keni dhënë me koncesion gjithë Shqipërinë. Çdo burim keni dhënë me koncesion. Mendoni se në çfarë lecke parlament jeni kthyer. Komisioni jepte mendim pasi ishte marrë vendimi. Juve sot jeni mbledhur në rresht që më të pasurit që ulen në tavolina me shefin tuaj dhe ju japin urdhra të vini në komisione. Ju shqetësoheni nëse aksionet e peshqve të mëdhenj apo nuk i marrin rimbursimet e kontratave të tenderëvë publikë.
I keni lënë njerëzit rrugëve. I merrni 400 milionë euro që kanë paguar taksa shqiptarët dhe ua çoni këtyre 10-15 vetave. Shqetësoni ju nëse po i marrin apo jo 60 miliardë 10 kompani të mëdha, “Salillari”, “Gjoka” a çfarë doni ju numëroni. Ju i keni lënë njerëzit të lypin para jush”, tha Duma.
BRAÇE: PROCESI TË JETË TRANSPARENT
Deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se akti normativ, që kompenson kompanitë për ndërtimin e veprave publike, i miratuar në fund me 75 vota, ka mungesë transparence. “Ky akt është vendim i duhur për të hapur kantieret. Procesi ka nevojë për më shumë transparencë. Transparenca është proces për mijëra njerëz në nevojë që presin ndihmë. Duhet të bëhet e qartë çdo kontratë dhe çdo afat. Akti normativ nuk mjafton.
Duhet edhe akt ligjor. Kompanitë që kanë nënkontraktuar punën me çmime më të ulëta, nuk duhen kompensuar. Do të paguajmë më shtrenjtë hekurat, tubat me çmimet që janë abuzim. Po për punëtorët a do të paguajmë ne më shtrenjtë apo do të vazhdojmë të paguajmë me çmimet e vitit 2020”, tha Braçe, duke kërkuar një bursë për bujqësinë, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.
Tabaku: Po kompensohen kompanitë që kanë lidhje me qeverinë
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se është në shërbim të oligarkëve dhe kompanive të caktuara, pasi ato kanë fituar tenderë me 99.9 për qind të fondit limit, duke shtuar se oligarkët paguajnë për të kaluar ligje në Parlament. Sipas Tabakut, mes tyre është edhe rruga Kardhiq-Delvinë, ku nga gazeta “Panorama” publikoi skandalin me shtimin e tenderëve për ndërtimin e saj deri në 3-fishim.
“U përpoqa të ndjek fjalët e kolegëve socialistë që kishin një emërues të përbashkët, të ulni kokën me turp që po ndajnë 80 milionë euro për disa firma që kanë marrë tenderë korruptivë me 99 për qind të vlerës në 10 kompanitë e preferuara të qeverisë. Nuk di ç’duhet bërë më shumë që qeveria të ulë kokë e të kërkojë ndjesë që sa herë vijnë këtu, nuk miratojnë një akt që shkon në dëm e shërbim të qytetarëve. Kanë bërë një akt që ka hyrë në fuqi ndërkohë që kanë nisur të paguajnë kompanitë. Së dyti, akti sjell amnisti indirekte të detyrimeve të firmave.
Vonesa në përfundimin e veprave publike dënohet me penalitete. Me këtë akt amnistohen kompanitë që kanë vonesa. Kam raste pa fund të kompanive të përfshira në rindërtimin. Nga ana tjetër, kompanitë, përveç faktit që tenderët janë dhënë me 99 për qind të vlerës, kanë lidhje me qeverinë. Rruga KardhiqDelvinë dhe shumë raste të tjera i kam denoncuar. Abuzimi më i madh është për kompanitë që kanë pronarë persona në kërkim, të hetuar, të gjykuar për trafik ndërkombëtar droge. E dini ç’bën kjo qeveri? 18.6 milionë euro janë dhënë për kompani e persona që janë në hetim. Me aktin qeveria kujdeset t’i sigurojë fitime e të mos i mungojnë të ardhurat.
Kur i thoshim ne qeverisë që çmimet po rriten, thoshte jo. Sot doli ministrja tha janë rritur që në shtator. Çfarë lufte kishte në shtator? Ajo që është e rëndësishme është që oligarkët paguajnë për të kaluar ligje në Parlament. Kjo është kapja e shtetit në nivelin më të lartë. Ky është korrupsioni në nivelin më të lartë. Nga korrupsioni i banakëve është kaluar në korrupsion politik, ku kompani kërkojnë mbështetje e sjellin këtu rritje buxheti për to, ndërkohë që kjo ndihmë e mëshirë nuk i jepet askujt prej qytetarëve në nevojë. Votimi kundër aktit është nder që u bëjmë qytetarëve”, tha Tabaku.