Aksioni i paligjshëm i IKMT te “Prestige Resort”/ Rakipllari thirrje ambasadës amerikane dhe organizatave të huaja në Tiranë: Të reagojnë, sulm i pastër politik

Drejtori i News 24, Robert Rakipllari, duke folur për aksionin e paligjshëm të IKMT në Prestige Resort gjatë mëngjesit të sotëm, tha se e gjitha është sulm i pastër politik ndaj Hysenbelliu Group.

Rakipllari i bëri thirrje ambasadës amerikane, OSBE-së dhe të gjitha organizatave të huaja në Tiranë që të reagojnë për situatën e paprecedentë. Ai shtoi se askush nuk e ka fituar betejën me fjalën e lirë dhe nuk do ta fitojë as kjo qeveri.

“Fadroma në pikë të mëngjesit në një hotel me turistë të huaj është kulmi i një fushate të egër për të goditur biznese që garantojnë pavarësinë e medias. Ky biznes garanton lirinë e gazetarëve. Ka gjithë keto vite që jam në profesionin e gazetarit, i bëj thirrje ambasadës amerikane, OSBE, të gjitha organizatave të huaja në Tiranë të reagojnë.

Ky është sulm i qartë politik që bëhet në pikë të mëngjesit kundër një grupi biznesesh, janë edhe sulme të tjera, patrulla 24 orëshe që bëjnë presion mbi grupin Hysenbelliu. Askush nuk e fiton dot betejën me fjalën e lirë e nuk do e fitojë as kjo qeveri”, tha Rakipllari.